Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, deklaroi të martën se një pjesë e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, të cilat kundërshtojnë liberalizimin e vizave për Kosovën, “thirren në tema të shtetit ligjor në sfera të ndryshme”.
Sipas saj, kjo çështje është e pashpjegueshme, ndërsa ka thënë se Kosova duhet t’i bindë me forcim të sistemit ligjore ato shtete që refuzojnë procesin e liberalizimit të vizave për kosovarët.
Gjatë raportimit në Komisionin Parlamentar për Integrime Evropiane, Gërvalla ka thënë se Kosova po punon që të fitojë njohjen nga pesë vendet mosnjohëse të BE-së.
“Çështja e regjimit të vizave jo që është e padrejtë, por është edhe e pa shpjegueshme… Nëse konstatohet që janë përmbushur në të kaluarën të gjitha kriteret dhe kemi shtete të veçanta anëtare të BE-së që e bllokojnë këtë proces, mbetet për ne që të identifikojmë të gjitha rrugët që qojnë në ndryshimin e kësaj çështje”, ka thënë ajo.
Më tej, është shprehur se “nuk kalon asnjë ditë pa u bërë një hap apo një punë e vogël në drejtim të liberalizimit të vizave”.
Gërvalla po ashtu ka përmendur edhe Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe dhe iniciativën e “Ballkanit të Hapur”.
Sipas saj, të dyja këto janë të dëmshme për Kosovë, ndërsa ka paralajmëruar se Marrëveshja e Asociacionit nuk do të zbatohet.
“‘Open Balkan’ dhe Asociacioni janë dy tema që i kemi analizuar dhe janë të dëmshme. Po themi janë të dëmshme dhe të punojnë qe t’ua shpjegojmë atyre që ia duan të mirën se janë të dëmshme”.
“Asociacioni e krijon një Bosnje të dytë në Kosovë. Nuk duam të paralizohemi si Bosnja. Nuk e kemi luksin t’i zbatojmë marrëveshjet që janë të dëmshme”, ka thënë ajo para deputetëve./Insajderi.com