Shqipëria nis vaksinimin e mantelbardhëve me dozën e tretë

Shqipëria nis vaksinimin e mantelbardhëve me dozën e tretë

Shqipëria ka nisur administrimin e dozës së tretë të vaksinës kundër Coronavirusit te mjekët dhe infermierët.

Doza e tretë do t’u jepet personave të moshës mbi 60 vjeç, atyre me sëmundje kronike dhe me frenim imuniteti.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, ka ndjekur nga afër procesin e vaksinimit me dozën e tretë.

“Kemi filluar menjëherë me grupet që janë më të rrezikuara, që janë mjekët, infermierët dhe sot në të gjithë qendrat shëndetësore aty ku mjekët, infermierët punojnë, por edhe gjithashtu në strukturat tona të vaksinimit të përqendruar tashmë ka filluar vaksinimi me dozën e tretë booster për personelin mjekësor”.

“Nga ana tjetër paralelisht ka filluar vaksinimi me dozën booster për të gjithë ata qytetarë të grup-moshës +60-vjeç dhe sigurisht për +18-vjeç me problematika shëndetësore”, ka thënë Manastirliu.

Duke ritheksuar se është ulur grup-mosha për vaksinim në 16-vjeç dhe për fëmijët +12-vjeç me problematika të sistemit imunitar, Manastirliu ka theksuar se do të vijojë furnizimi me vaksina për të garantuar vaksinimin e qytetarëve gjatë këtij viti, por edhe vitin tjetër.

Aplikimi i dozës së tretë përforcuese do të bëhet për stafet mjekësore, personat në institucione të kujdesit afatgjatë, ata mbi 60-vjeç me sëmundje kronike. Doza përforcuese duhet të ofrohet jo më parë se 6 muaj pas përfundimit të vaksinimit me dozën e dytë./Insajderi.com