Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të publikojë të mërkurën rezultatet e Kuvendeve Komunale.
Në zgjedhjet lokale më shumë se 5 mijë qytetarë kandiduan për asamblistë.
Prej tyre 1 mijë e 2 do ta marrin pozitën – dhe rezultati e mësojnë sot.
Kështu ka treguar zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi.
“Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve ka përfunduar procesi i rinumërimit i rreth 300 vendvotimeve të cilat u takojnë zgjedhjeve lokale për Kuvendet Komunale”.
“Pas përfundimit të procedurave të parapara në këtë qendër, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të mundet të shpallë rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 17 tetorit kuvendet komunale. Planifikojmë që shpallja e këtyre rezultateve të bëhet në mbledhjen e KQZ-së, e cila do të mbahet ditën e mërkurë më datën 3 nëntor”, ka thënë ai.
Ai tregoi se me shpalljen e rezultateve përfundimtare nuk përmbyllet ky proces.
Kjo pasi subjektet politike dhe kandidatët kanë mundësinë të parashtrojnë ankesat e tyre në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa dhe në Gjykatën Supreme. /Insajderi.com