“Nëse është tradhti të mendosh për të ardhmen, të mendosh për paqen, të mendosh për rritjen e bashkëpunimit dhe të ekonomisë, të mendosh për mirëqenien shoqërore dhe të mendosh edhe për zgjidhjen përfundimtare të ҫështjes së Kosovës, po atëherë unë jam tradhtar, nuk diskutohet dhe tradhëtar do të ngelem”.
Kështu ka deklaruar kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në një intervistë për DW, derisa ka folur për iniciativën “Open Ballkan”, duke thënë se do të mbijetojë për faktin se paqja duhet të mbijetojë dhe të bëhet e pakthyeshme.
Duke folur për raportet mes Serbisë dhe Kosovës, Rama ka thënë se kjo e fundit po të ishte prezente në Beograd për “Open Ballkan”, do të kishte mundësi t’i rriste kapacitetet e veta ekonomike dhe ta fuqizonte imazhin.
“Nëse Kosova do të ishte e pranishme do të kishte mundësi që në radhë të parë, duke u përfshirë në këtë nismë, të rriste kapacitetet e veta ekonomike, të fuqizonte imazhin e vet si një hapësirë ku mund të investohet për investitorët e huaj, të krijonte garanci për të gjithë ata që investojnë dhe që do të investonin në Kosovë, qofshin shqiptar, qofshin të huaj dhe kështu të merrte disa benifite të drejtpërdrejta të natyrës ekonomike, ndërkohë që në procesin e dialogut të vazhdonte të mbante qëndrimet e veta që nuk diskutohen dhe të arrinte synimin e vet”.
“Por, që nuk ekziston në histori, siҫ e njoh unë, që një zgjidhje konflikti të ketë pasur sukses duke mos përdorur të gjitha mjetet e nevojshme dhe duke mos përfshirë këtu domosdoshmërinë e vendosjes së interesit të qytetarëve si njerëz, si familjarë, si prindër, prodhues, tregtar, si konsumator, kjo është e sigurt.”/Insajderi.com