IKSHPK apelon për respektim të masave: Situata epidemiologjike mund të përkeqësohet

IKSHPK apelon për respektim të masave: Situata epidemiologjike mund të përkeqësohet

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka apeluar te të gjithë qytetarët që të respektojnë masat anti-COVID’19, sipas vendimeve të qeverisë.

Në njoftimin e bërë publik thuhet se janë duke përcjell në vazhdimësi situatën epidemiologjike në vend, në rajon dhe në botë.

“Situata me pandeminë në vendet në rajon dhe më gjerë është përkeqësuar, këto kohët e fundit. Ndërsa, situata epidemiologjike me COVID-19 në Kosovë vazhdon me rënie të numrit të rasteve të reja pozitive dhe numrit të vdekjeve”.

Por, megjithatë sipas IKSHPK-së, është akoma jostabile, “në veçanti duke pasur parasysh se varianti Delta është prezent dhe është varianti dominues në qarkullim në Kosovë”.

Ambulanca për COVID, QKUK

“Ne jemi duke vazhduar pandërprerë me gjurmimin e të gjitha rasteve, kontakteve të rasteve në komunitet dhe diagnostikimin laboratorik”.

“Situata epidemiologjike mund të përkeqësohet në rast të rritjes së rasteve të reja, dhe kjo do të mund të paraqesë mbingarkesë të re për sistemin shëndetësor dhe për profesionistët shëndetësor”.

“Për shkak të rrezikshmërisë së lartë të përhapjes së COVID-19, bëjmë thirrje në veçanti për kujdes dhe mosgrumbullim. Ndërsa, rekomandojmë institucionet përgjegjëse të mbikëqyrin me përpikëri dhe të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e masave për parandalimin dhe luftimin e pandemisë”.

Sipas institutit, është i domosdoshëm kujdesi i shtuar i të gjithëve që në mënyrë strikte të respektohet distanca fizike, të përdoren maskat, të bëhet dezinfektimi dhe ajrosja e hapësirave, duke pamundësuar dhe shmangur përhapjen eventuale të mëtejme të infeksionit të COVID-19.

“Duke qenë se vaksinimi është mënyra më e mirë dhe më e sigurt për të parandaluar COVID-19, veçanërisht format e rënda të sëmundjes dhe vdekjet, ne vazhdojmë të apelojmë fuqishëm për vaksinim sa më gjithpërfshirës, sa më të gjerë dhe sa më të shpejtë të popullatës”.

“Duke u vaksinuar vetë, ju mbroni veten, mbroni edhe njerëzit për rreth jush, në rend të parë familjen. Vaksinimi mbetet arma më e fortë për të parandaluar hospitalizimin”.

“Të gjithë pa dallim dhe domosdoshëmrisht duhet të vazhdojmë të zbatojmë masat parandaluese kundër COVID-19 dhe rekomandimet e profesionistëve shëndetësor!”, thuhet ndër të tjera në apelin e IKSHPK-së./Insajderi.com