Eurodeputeti gjerman thotë se BE-ja duhet ta mbajë premtimin për vizat

Eurodeputeti gjerman thotë se BE-ja duhet ta mbajë premtimin për vizat

Eurodeputeti gjerman, Romeo Franz, duke folur për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, tha se ky proces duhet urgjentisht të shkojë përpara.

Sipas tij, duhet të zbatohen të gjitha marrëveshjet që janë arritur deri më tani, ndërsa shtoi se Bashkimi Evropian duhet ta përmbush premtimin për liberalizimin e vizave.

Këto komente ai i bëri pas takimit të Komisionit Parlamentar për Stabilizim-Asociim, BE-Kosovë.

“Jemi të bindur që përfshirja e grave në procesin e dialogut është mjeti kryesor. Po ashtu jemi të vetëdijshëm që ju takon shteteve anëtare të BE-së që t’i përmbushin premtimet e dhëna që përfundimisht ta japin liberalizimin e vizave”.

Eurodeputeti Franc dhe deputetja Kusari-Lila

Më tej, Franz duke folur në konferencë për media, shtoi se “po luftojmë që Kosova ta ketë liberalizimin e vizave”.

Në anën tjetër, deputetja Mimoza Kusari-Lila tha se dialogu duhet të çojë në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve.

Ajo kërkoi që liberalizimi i vizave të mbetet i ndarë me atë të zbatimit të MSA-së.

“Në kuadër të liberalizimit të vizave kushtet janë plotësuar, në pjesën e MSA-së duhet të arrihen synimet që janë të përfshira në marrëveshje, sepse kemi pasur dy palë zgjedhje parlamentare”, tha Kusari-Lila./Insajderi.com