Paneli për Ankesa dhe Parashtresa ka marrë vendim që të gjitha votat për Asamblenë Komunale në Podujevë të rinumërohen.
Këtë e ka kumtuar kandidati për asamble komunale nga Lëvizja Vetëvendosje, Xhevdet Maloku.
Ai ishte ankuar në PZAP, bashkë me 119 të pakënaqur tjerë – të cilët dyshojnë në “manipulim gjatë numërimit” të votave për asamble komunale.
“Dhamë një shembull që të bashkuar mund të ja dalim, do e mbrojmë çdo votë e cila ende gjendet në kuti të votimi”, ka thënë Maloku.
Përndryshe, në Podujevë më 14 nëntor në balotazh do të përballet Lëvizja Vetëvendosje me Lidhjen Demokratike të Kosovës.
Aktualisht, Podujeva qeveriset nga Shpejtim Bulliqi i VV-së – ndërkaq rival e ka Ekrem Hysenin të LDK-së.
Dallimi i votave të tyre në raundin e parë është dyshifror. /Insajderi.com