Për ta larguar Nisman Socialdemokrate nga pushteti, Partia Demokratike e Kosovës ka arritur koalicion me Lidhjen Demokratike të Kosovës, në Malishevë.
Këtë për Insajderi.com e ka konfirmuar zëdhënësi për media i PDK-së në Malishevë, Sedat Sahitaj.
“Po është nënshkruar marrëveshja nga kandidati ynë për kryetar Isni Kilaj dhe Bajrush Morina i LDK-së”, thotë Sahitaj.
Në zgjedhjet e 17 tetorit, PDK doli e dyta duke marrë 28.28 për qind të votave.
Por, gjashtë për qind më shumë fitoi Nisma Socialdemokrate me kandidat Ekrem Kastratin.
Mirëpo, Kilaj ka marrë mbështetjen e ish-deputetit Haxhi Shala që tash është pjesë e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.
Ndërkaq, Bajrush Morina i Lidhjes Demokratike të Kosovës, arriti të merrte 16.88 për qind të votave – një për qind më shumë se Lëvizja Vetëvendosje.
Kandidati për kryetar nga kjo e fundit, Alban Krasniqi, bëri thirrje që “balotazhi të bojkotohet”.
Gara për Malishevën.
Deri kur “plasi” përçarja e madhe në Partinë Demokratike të Kosovës.
Dy figura të rëndësishme atë botë të PDK-së, Fatmir Limaj e Jakup Krasniqi vendosën t’i ndanin rrugët me Hashim Thaçin.
Disa përgjime të publikuara në media, besohet që “ishin mollë sherri”, ndërmjet dikur “shokëve të luftës”.
Pas përçarjes, Fatmr Limaj arriti të fitonte në Malishevë, 2013 – të njëjtën s’e kishte bërë Jakup Krasniqi në Drenas.
Në vitin 2017, PDK e kishte një përpjekje për ta larguar Nisman nga pushteti, madje ia arriti balotazhin.
Atë kohë, Nisma arriti koalicion me Lidhjen Demokratike të Kosovës. Por, përfundoi vetëm pak muaj pasi nisi mandati i dytë.
Kështu, tash LDK është në mbështetje të PDK-së në Malishevë.
Malisheva është komuna e vetme në të cilën partia e Fatmir Limajt është në garë zgjedhore.
Rivalë në Malishevë, por bashkëpunëtorë në Prizren – pasi Zafir Berisha i Nismas e dëshiron largimin e Mytaher Haskukës nga pozita e kryetarit duke e mbështetur Shaqir Totajn e PDK-së. /Insajderi.com