Është mbajtuar evenimenti i ndarjes së çmimeve të Lidershipit të Shquar 2021 në Këshillin Atlantik.
Në mesin e shumë fytyrave të famshme, ka qenë e pranishme edhe artistja shqiptare me famë botërore, Dua Lipa, e cila është nderuar me çmimin “Artistja e Shquar e Vitit 2021, shkruan Insajderi.com.
Dua, gjatë fjalimit të dhënë pas marrjes së çmimit, në prani të presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, kërkoi liberalizimin e vizave për kosovarët.
“Të rinjtë luftojnë për të gjetur punë dhe mundësitë e tyre pengohen nga kufizimet që e bëjnë të vështirë udhëtimin për punë ose kënaqësi. Pasi kemi përmbushur të gjitha kriteret, Komisioni Evropian në fakt ka rekomanduar liberalizimin e vizave për Kosovën për më shumë se tre vjet më parë. Pra, a mendoni se ne mund ta arrijmë atë tani?”, tha ajo.
Më tej, Dua tha se nëse Kosova do t’i bashkëngjitej komunitetit ndërkombëtar, atëherë do të kishte zhvillim më të madh në ekonomi dhe kulturë, kjo pasi, sipas saj është në gjenet e popullit.
“A nuk do të ishte e përshtatshme nëse Kosova mund të zinte vendin e saj brenda atij bashkimi paqësor, të lulëzonte ekonomikisht përkrah fqinjëve tanë dhe të shëronte lëndimin e konfliktit të fundit?”, përfundoi ajo.
Në anën tjetër, kryetarja e Komisioni Evropian, Ursula Von der Leyen, i dedikoi Duas një cicërimë në “Twitter”, ku shprehet e lumtur që e ka takuar artisten shqiptare, ndër tjerash ia përmend që ajo ka ndikim të madh në botë.
“Dua, ti ke një ndikim shumë të madh në botë. Me muzikën tuaj dhe energjinë tuaj unike, ne të gjithë jemi ‘levitating’”, u shpreh më tej ajo.
Në përvjetorin e 60-të të këtij eventi madhështor e pranishme ishte edhe Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, e cila gjithashtu mbajti një fjalim në Distinguished Leadership Awards derisa shtoi se është krenare që përfaqëson një popull që i përfshin të gjitha.
“Nuk mund të jem më krenar që përfaqësoj një popull që ka kaq shumë dhembshuri, kaq shumë talent, potencial dhe qëndrueshmëri”, tha Osmani.
Kosova për herë të parë merr pjesë në një eveniment të tillë, në të cilin marrin pjesë përfaqësues të politikës ndërkombëtare. /Insajderi.com