Dëshmitari i gjashtë i Zyrës së Prokurorit të Specializuar në Hagë, që po dëshmon në gjykimin ndaj ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, thotë se mosparaqitja para drejtësisë që 22 vjet, të personave të dyshuar për krime lufte, i kanë shkaktuar stres, nervozë e lodhje sikurse pasojat e asaj çfarë thotë se ka përjetuar në një qendër ndalimi në Zllashë, transmeton Insajderi.com.
Derisa i është përgjigjur pyetjeve të mbrojtëses së viktimave, ky dëshmitar pretendon se është rrahur nga disa pjesëtarë të UÇK-së në Zllashë, e që të njëjtit thotë se kanë kryer krime të mëdha.
“Te unë ka shkaktuar stres, nervozë, lodhje nga energjia për t’u marrë me atë çështje, dhe po ashtu mos paraqitja para drejtësisë që 22 vite të personave për krime të ndryshme të të njëjtit lloj edhe më të mëdha që kanë ndodh, se i imi është i vogël në krahasim me ato çka kam parë unë si dëshmitar, në rastin konkret që e theksuam më herët dhe raste tjera që po shihen që janë të ditura për publikun”, ka thënë dëshmitari i ZPS-së, raporton KP.
Avokatja e viktimave, Anni Pues, e ka pyetur dëshmitarin se si ndjehet pasi ishte “i arrestuari i UÇK”, ndërsa ai ka thënë se ishte nën arrest nga një grup njerëzish duke shtuar që trajtimi ndaj tij ka qenë i padrejtë dhe i palogjikshëm.
“Në aspektin e përgjithshëm unë isha arrest nga disa persona atje që çdo vend mund të ketë personi të mirë e të keq dhe në momentin kur unë jam ndaluar atje më është dukur e palogjikshme për shkak që nuk e ndjeja të fajshëm për asgjë”.
“Në momentin kur kam parë aty viktimën ne kemi ndjerë një lloj frike të madhe për shkak se ne nuk e dinim realitetin pse po ndodh ashtu, ne nuk ishim të armatosur asnjeri prej neve, ata ishin të armatosur, nuk më ka shkuar mendja ndonjëherë t’i kundërvihem atyre, vetëm të lëmë fatin tonë në duar të tyre”, ka thënë dëshmitari i mbrojtur.
Sipas dëshmitarit, me personat për të cilët thotë se e kanë mbajtur në qendër ndalimi, kanë pasur probleme edhe disa kolegë të tij por jo të tilla si arrestimi.
Gjatë dëshmisë së tij, ky dëshmitar që mban kodin Ë04669, ka thënë se ndalimi i tij ka qenë jo i ligjshëm dhe jo njerëzor. /Insajderi.com