Dialogu midis Kosovës dhe Serbisë do të jetë një ndër pikat për të cilat do të diskutojnë Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian në takimin e sotëm në Bruksel.
Dokumenti për diskutim në Këshillin e BE-së është përgatitur nga Shërbimi i Politikës së Jashtme të Bllokut, derisa pikë e parë e këtij takimi do të jetë angazhimi dhe situata në tërë Ballkanin Perëndimor.
Në dokument thuhet se në muajt e fundit “nuk ka pasur përparim në dialog”, dhe se atmosfera e përgjithshme rreth bisedimeve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës është “ende e ndërlikuar”.
“Fokusi duhet të kthehet në zbatimin e obligimeve ende të paplotësuara nga dialogu, duhet të përmirësohet atmosfera përmes lëvizjeve konkrete pozitive dhe të punohet në përparimin drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për normalizim, dhe rrjedhimisht në të ardhmen evropiane të Kosovës dhe Serbisë. “, thuhet në dokumentin e përgatitur për diskutim ministror, raporton KP.
Vendeve anëtare u kërkohet të vazhdojnë të mbështesin ndërmjetësuesit e BE-së në dialog, Joseph Borrell dhe Miroslav Lajçak, dhe në një “nivel të lartë dialogu me Beogradin dhe Prishtinën”.
Krahas dialogut Prishtinë-Beograd, ministrat e BE-27 do të diskutojnë situatën në Bosnjë e Hercegovinë, për të cilën Brukseli vlerëson se është aktualisht në “krizën më të keqe politike që nga miratimi i Dejtonit”.
EEAS thekson se zgjidhja mund të shihet në dialog, para së gjithash brenda BeH-së dhe se deri më tani në Bruksel nuk ka mbërritur asnjë propozim zyrtar për heqjen e mundshme të sanksioneve për zgjidhjen e bllokadës politike në BeH. /Insajderi.com