Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar për fitoren e kandidatit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Përparim Rama, në komunën e Prishtinës, njofton Insajderi.com.
Rama nëpërmjet një postimi në llogarinë e tij në Twitter tha se është kurrioz për impaktin që do të ketë në Prishtinë një kryebashkiak arkitekt.
“Shumë kurioz për impaktin që do të ketë në Prishtinë një kryebashkiak arkitekt, risi interesante në një realitet sfidues”, ka shkruar Rama.
“Urime Përparim Ramës dhe mbarësi e sukses atij dhe të gjithë të zgjedhurve të rinj në krye të komunave të Kosovës”, shtoi më tej ai.
Rama ka fituar në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale të 14 nëntorit me gjithsej 51.07 për qind të votave apo 40 mijë e 659 vota të siguruara.
Ai la pas në këtë garë Arben Vitinë nga Lëvizja Vetëvendosje me gjithsej 48.93 për qind të votave, apo 38 mijë e 958 vota. /Insajderi.com