“Pas takimeve produktive të javës së shkuar në Washington, në të cilat jam njoftuar se Kosova do të jetë pjesë e këtij Samiti, jam e nderuar ta pranoj ftesën nga Presidenti Biden”, ka thënë ajo.
Osmani më tej ka njoftuar se Kosova do ta ndajë përvojën e saj të veçantë në ndërtimin e institucioneve dhe praktikave demokratike, në partneritet të jashtëzakonshëm me miqtë ndërkombëtar – ku rol prijatarë kanë pasur Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Jam e lumtur që në emër të Republikës së Kosovës do t`i prezantoj të arriturat dhe sfidat që i kemi, si dhe do të angazhohemi bashkërisht që gjatë 12- muajve të ardhshëm ta zbatojmë një plan ambicioz për fuqizimin e mëtejmë të demokracisë sonë të re në mënyrë që qytetarët tanë t`i ndjejnë përfitimet e një udhëheqjeje demokratike të bazuar në sundim të ligjit, të drejta të njeriut dhe gjithëpërfshirje shoqërore”, u shpreh më tej Osmani me anë të një postimi në llogarinë e saj në Facebook.
Kjo ftesë erdhi pas raportimeve të shumta se Kosova sikurse Serbia dhe Bosnje e Hercegovina, nuk janë në listën e 100 vendeve të ftuara në këtë samit që do të mbahet për herë të parë në Shtëpinë e Bardhë.
Madje, lajmin se SHBA nuk i kishte bërë ftesë Kosovës në këtë samit, e kishte konfirmuar edhe Ambasada e Amerikës në Kosovë, e cila tha se jo të gjithë partnerët mund të akomodohen në këtë nismë.
Një reagim kishte edhe nga Qeveria e Kosovës, e cila i la faj krijimit të qeverisë paraprake nga ish-kryeministri Avdullah Hoti, për mosftesën nga SHBA-të në këtë samit. /Insajderi.com