Prishtina tashmë ka një kryetar të ri të zgjedhur në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale që është mbajtur të dielën e 14 nëntorit.
Rama u vendos në krye të qeverisjes së kryeqytetit duke siguruar 40 mijë e 659 vota apo 51.07 për qind të totalit të votave.
Por kush është kryetari më i ri i Prishtinës, i vendosur në krye të garës nga Lidhja Demokratike e Kosovës?
Përparim Rama i cili është lindur më 20 janar 1976 në Prishtinë, në moshën 16 vjeçare, u shpërngul në Britani të Madhe, ku edhe përfundoi studimet për arkitekturë.
Rama para se të hynte në këtë garë elektorale për kryeqytetin, ishte i njohur për për veprimtarinë e tij arkiteturale në disa vende të botës, si Angli, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Zvicër, Çeki, Shqipëri e vende të tjera, ku fitoi edhe shumë çmime në arkitekturë.
Në vitin 2012, në Bienalen e Arkitekturës në Venecia, Rama përfaqësoi Kosovën për herë të parë në histori me veprën e quajtur “Punuesi i filigranit”.
Në po këtë vit, ai ka marrë pjesë si këshilltar i veçantë në Lojërat Olimpike.
Në CV-në e tij thuhet se ka përvojë mbi 20 vjet në projekte të ndryshme në banesa e hotele, ndërkaq më parë ka punuar si këshilltar në Aeroportin e Southampton.
Rama ka përvojë si mësues në Shkollën e Arkitekturës në Universitetin Nottingham dhe bashkë-mbikëqyr Doktoraturat në Arkitekturën Gjeneruese dhe modelimin e ndërtesës SMART në programin MA dhe PHD në institutin SmartLab Media.
Plani i Ramës për menaxhimin e projekteve të kryeqytetit
Pasi kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku e prezantoi Ramën si kandidatin e kësaj partie për të parin e Prishtinës në maj të këtij viti, i përzgjedhuri për drejtimin e kësaj komune kishte deklaruar se menaxhimi për të është primar, ndërsa politika sekondare.
“Nuk mendoj që gara për kryetar të Prishtinës është politike, më shumë është menaxhim i strukturave të kryeqytetit, është një projekt, një proces i cili duhet të menaxhohet në mënyrë të mirëfilltë. Unë jam apartiak dhe nuk kam qenë kurrë politik, politika është sekondare, mirëpo menaxhimi është primar. Si arkitekt menaxhoj projekte gjatë gjithë kohës”, kishte thënë Rama në një intervistë televizive.
Ai ka paraparë që qendrën e Prishtinës ta bëjë gjithë hapësirën brenda unazës së brendshme të qytetit, duke e quajtur këtë projekt “Ridefinim i qendrës së qytetit”.
“Kjo qendër e re do ta ndryshojë hierarkinë e lëvizjes në trafik: këmbësori do të jetë i pari, transporti publik dhe ai alternativ i dyti, kurse veturat të tretat”, thuhet në programin e Ramës.
Problemin e parkingut të veturave Rama ka premtuar se do ta zgjidhë njëherë e përgjithmonë, duke premtuar vend-parkingje të mëdha në gjashtë pika kryesore rreth unazës së brendshme të Prishtinës, ku distanca do të jetë rreth 500 metra nga secila pikë e qendrës.
Vetëm në lagjen Ulpiana ai ka premtuar ndërtimin e 430 vend-parkimeve.
Në sektorin e shëndetësisë ka premtuar kompletimin e rrjetit të Qendrave të Mjekësisë Familjare në tërë territorin e Komunës së Prishtinës, sipas standardit një Qendër e Mjekësisë Familjare për 10,000 banorë.
Siguria në trafik, e që lidhet ngushtë edhe me sigurinë e fëmijëve në rrugë, është gjithashtu një ndër prioritetet kryesore, të programit të qeverisjes katërvjeçare të Ramës.
Brenda mandatit katërvjeçar, Rama ka thënë se do të rrisin nivelin e hapësirave të gjelbra, duke e lansuar një program masiv që do të ketë për synim krijimin e 250 hektarëve të hapësira të gjelbra dhe mbjelljen e 800 mijë drunjve fidanor.
Sipas programit të Ramës, në Prishtinë mungojnë shtatë objekte shkollore të nivelit të arsimit fillor dhe të mesëm të ulët. Këto objekte, Rama ka premtuar se do të ndërtohen në lagjet Sofali, Kodrina, Qëndresa, Përroi i Njelmët, Kalabria, Kodra e Trimave dhe në lagjen Prishtina e Re – Qendër.
Sa i përket problemit – që është ndër më kryesorët në kryeqytet, rreziku nga qentë endacakë, ai ka paraparë ndërtimin e një strehimoreje.
“Do të jem kryetar i cili do të mbahet në mend për projekte infrastrukturore të mëdha e të guximshme, të cilat do ta zhvillojnë Prishtinën për dekadat e ardhshme”, ka thënë Rama.
Përparim Rama është i martuar dhe ka tre fëmijë. /Insajderi.com