Ambasadori kanadez mbështet Qeverinë për targat: Reagimi serb me rusë në kufi – i tepruar

Ambasadori kanadez mbështet Qeverinë për targat: Reagimi serb me rusë në kufi – i tepruar

Ambasadori i Kanadasë në Kroaci, Alan Bowman, që njëherësh është edhe përgjegjës për Kosovën, ka mbështetur vendimin e Qeverisë së kësaj të fundit lidhur me targat e veturave që vijnë nga Serbia, transmeton Insajderi.com.

Ai tha se Kosova ka të drejtë në një vendim të tillë, pasi edhe Serbia e aplikon të njëjtën masë për veturat me targa kosovare.

Ndër të tjera, ai thotë se reagimi serb ndaj kësaj situate ishte i tepruar, e sidomos me paraqitjen e përfaqësuesve rusë në kufirin me Kosovën.

Në një intervistë për gazetën kroate “Nacional”, ambasadori kanadez ka folur edhe për zgjidhjen afatgjate mes Kosovës dhe Serbisë.

“Në rastin konkret të targave të veturave, Kosova e ka zbatuar politikën e saj, për të cilën, si shtet, ka të drejtë. Masat ndaj veturave që vijnë në Kosovë nga Serbia janë identike me ato që aplikon Serbia për veturat që hyjnë në Serbi nga Kosova”, ka thënë ai.

Zëvendësimi i targave në Pikën Kufitare me Serbinë

“Nëse kjo u zbatua në mënyrën më të mirë, nuk është për mua të komentoj. Sido që të jetë, nga këndvështrimi im, reagimi serb më dukej i tepruar, madje pamë përfaqësues rusë në kufi”, shtoi më tej Bowman.

“Sa i përket zgjidhjes afatgjatë të problemit ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, shpresoj se procesi i udhëhequr nga BE-ja do t’i ndihmojë të dyja palët dhe se dialogu do të ringjallet, i cili në radhë të parë duhet të parandalojë situata të ngjashme dhe më pas të kontribuojë në normalizimin e marrëdhënieve”.

Ndër të tjera, diplomati kanadez ka lavdëruar punën e Qeverisë Kurti dhe të presidentes Vjosa Osmani, duke thënë se dyshja po punon në realizimin e reformave dhe në promovimin e të drejtave të njeriut.

“Fillimisht dua të them se besoj se komuniteti serb në Kosovë ka të drejta legjitime të mbrojtura me Kushtetutën e Kosovës. Kanadaja është mike e Qeverisë së Kosovës, ne e njohëm Kosovën kur shumica e vendeve të tjera e njohën, ne inkurajuam njohjen ndërkombëtare të një vendi që ne besojmë se duhet të jetë në rrugën euroatlantike, si dhe pjesa tjetër e Ballkanit Perëndimor”.

“Jemi të kënaqur me përkushtimin e Qeverisë së Kosovës, veçanërisht të dy figurave kryesore të vendit, kryeministrit Kurti dhe presidentes Osmani, të cilët janë duke punuar për reforma, promovimin e të drejtave të njeriut, barazinë e grave”, ka theksuar Bowman. /Insajderi.com