Tahiri rreth Ligjit për Paga: Qeveria pritet ta vonojë edhe më shumë

Tahiri rreth Ligjit për Paga: Qeveria pritet ta vonojë edhe më shumë

Kryetari i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, në konferencën e mbajtur për medie ka paraqitur disa shqetësime në lidhje me Ligjin për Pagat.

Sipas Tahirit, Qeveria e Kosovës e ka pas afatin e fundit ta sjell këtë ligj më 29 tetor 2021, por sipas tij, ka dështuar ta sjell në Kuvend në mungesë të zotësisë ose të vullnetit politik.

“Qeveria le që nuk e ka sjell këtë ligj që është vonuar një muaj, por qeveria pritet ta vonojë këtë ligj së paku edhe tre muaj”.

Tahiri, thotë se Qeveria Kurti është duke tentuar ta prishë sistemin e karrierës në shërbimin civil dhe kjo gjë, sipas tij, po bëhet për të bërë punësime partiake.

“Amadamentimi i ligjit për zyrtarët publik ka për qëllim të dëmtojë të arriturat për 20 vjet. E para ka të bëjë me tendencën e Qeverisë aktuale me prish sistemin e karrierës në shërbimin civil, që nënkupton në aspektin praktik, shefat e divizioneve dhe drejtorët e departamenteve kthehen dhe shndërrohen si në sektorin privat. Me u dhënë vetëm kontrata katërvjeçare. Me shfrytëzu politikën që këta njerëz pastaj të jenë partiak”.

“E dyta ka të bëjë me kategorizimin e zyrtarëve publik që drejtpërsëdrejti e afekton ligjin e pagave. Ky kategorizim rrit dhe ul pagat në bazë të kategorisë që vendos Qeveria”, u shpreh Tahiri në një konferencë për media.

Ilustrim

Në lidhje me këtë çështje, Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës ka mbajtur protestë më 8 nëntor, para ndërtesës së Qeverisë.

Kërkesat e tyre ishin rregullimi i gjendjes sociale të punëtorëve shëndetësor përmes procedimit të Projektligjit për Paga në sektorin publik dhe implementimin e tij nga Janari i vitit 2022 si dhe senzibilizimi i opinionit dhe udhëheqjes vendore lidhur me gjendjen e rëndë sociale të punëtorëve shëndetësor.

Protestë kanë paralajmëruar edhe nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit Shkencës dhe Kulturës.

Kjo sindikatë, do të protestojë më 4 dhjetor për shkak të mosmiratimit të Ligjit të Pagave.

Ky vendim u mor në mbledhjen e jashtëzakonshme që SBAShK mbajti me kryetarët e nivelit komunal dhe të universiteteve më 12 nëntor./Insajderi.com