Numërimi i votave me postë do të filloj të martën e 16 nëntorit.
Kështu tha për Shqip.com, zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi.
Elezi theksoi se numri i zarfeve të individualizuara me fletëvotime që do të numërohen është 2 mijë e 379.
“Gjatë ditës së martë, 16 nëntor, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të fillojë me numërimin e fletëvotimeve të cilat janë dërguar nga jashtë Kosovës gjatë periudhës së votimit, 29 tetor – 12 nëntor”, tha Elezi.
“Tashmë shërbimi votues i KQZ-së ka bërë vlerësimin e 1,571 pakove të supozuara me fletëvotime të ardhura përmes postës. Nga procesi i vlerësimit, del se nga këto pako numri i zarfeve të individualizuara me fletëvotime është 2,658, prej të cilave janë aprovuar 2.379, ndërsa pasi nuk kanë plotësuar kriteret ligjore janë refuzuar 279 pako. Këto fletëvotime u takojnë komunave 19 komunave të ndryshme”, shtoi Elezi për Shqip.com.
Në bazë të listës së publikuar nga KQZ, numri më i madh i fletëvotimeve nga jashtë Kosovës i takojnë komunës së Junikut, 670 të tilla.
Numërimi i këtyre fletëvotimeve do të thotë shumë për rezultatin e ngushtë ndërmjet dy kandidatëve që garojnë për kryetarin e kësaj komune.
Në bazë të rezultateve preliminare të publikuara nga KQZ-ja, kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës Ruzhdi Shehu (1,199) ka një epërsi prej 29 votash nga kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Agron Kuçi (1,170).
Edhe në Dragash rezultati është shumë i ngushtë.
Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës, Shaban Shabani (5,648) është në epërsi prej 47 votash në raport me kandidatin e Llidhjes Demokratike të Kosovës, Bexhet Xheladini (5,601).
Ndërkaq, KQZ-ja akoma nuk ka bërë të ditur se sa është numri i votave me kusht dhe votave të personave me nevoja të veçanta në 21 komunat ku u mbajt raundi i dytë i zgjedhjeve për kryetarë.
“Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve janë duke u zhvilluar të gjitha procedurat e parapara që gjithashtu sa më shpejt që është e mundur të fillojmë me numërimin e votave me kusht dhe të personave me nevoja të veçanta”, përfundon Elezi./Insajderi.com