Dështon mbledhja e Kryesisë së Kuvendit, Konjufca thërret seancën për të enjten

Dështon mbledhja e Kryesisë së Kuvendit, Konjufca thërret seancën për të enjten

Ka dështuar të mbahet mbledhja e Kryesisë së Kuvendit, ku në rend dite ishin pikat e papërfunduar nga seanca plenare e mbajtur më 22 dhe 28 korrik 2021, nga seanca e 19 tetorit, si dhe përgatitjet për seancë të re.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, tha se mbledhja ka dështuar për mungesë të kuorumit, shkruan Shqip.com.

“Fatkeqësisht kjo është e disata herë që mbledhja e Kryesisë po dështon, nuk ka kuorum. Megjithatë Kushtetua e ka parapa që Kuvendi nuk mund të bllokohet prej ndonjë trupi të veçantë, për këtë arsye neni 67  i Kushtetutës ia lejon kryetarit që t’i thërret seancat. Së bashku me të tjerët vendësom që të caktojmë seancën, për pasnesër më datë 18 nëntor në ora 10.00”, tha Konjufca pas mbledhjes.

Më tutje, Konjufca tha se në seancën e thirrur për të enjten, pritet të caktohet nënkryetari i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, meqenëse Bedri Hamza tashmë është zgjedhur kryetar i Komunës së Mitrovicës.

“Më këtë seancë pritet të caktohet edhe nënkryetari nga radhët e PDK-së meqenëse zotëri Hamaza u zgjodh kryetar i Mitrovicës, kështu që pritet ta kompletojmë kryesinë”, tha ai.

I pari i Kuvendit, komentojë edhe mungesën e vazhdueshme të Listës Serbe në mbledhjen e Kryesisë.

Ai tha se Lista Serbe është duke e bojkotuar qëllimshëm mbledhjen e Kryesisë dhe  në këtë formë po bën edhe shantazh publik.

“Lista serbe është duke e bojkotu qëllimshëm dhe në mënyrë të vazhdueshme mbledhjen e Kryesisë. Kjo është e papranueshme, nuk pranojmë kurrëfarë shantazhi , Lista serbe po e bën shantazhin. Zotëri Simiç po vjen po shfaqet, në momentin që e sheh se bashkë me të jemi  katër, ai po largohet dhe mbesim tre që të mos mund të funksionoj mbledhja”

“Sapo filluam me mbajtë mbledhjen dhe ishim katër pra kishte mundsi të mbahej mbledhja për shkak të kuoriumit, ai u largua, foli me  dikë në telefon dhe u largua, kështu nuk mundëm ta vazhdonim. Ai kështu veprojë edhe sot. Ky kushtëzim nuk pranohet, refuzohet, dhe mendoj se me zgjedhjen e nënkryetarit në seancën e ardhshme nga radhët e PDK-së, ma merr mendja që nuk do të i’a ndjejmë më mungesën atij”, përfundoi Konjufca.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri ka thënë se nuk kanë pasur mbarëvajtje të duhur të agjendës parlamentare tash e një kohë.

“Përgjegjësia bie mbi mazhorancën, në këtë mazhorancë e cila është tregu joefikase në shumë drejtime, edhe në implementimin e agjendës legjislative e në anën tjetër edhe në degradimin e shumë institucioneve tona të pavarura”, ka thënë Tahiri.

Ai ka shtuar se që nga konstituimi i kësaj legjislature nuk kanë arritë me pas një funksionim të mirëfilltë i cili do t’i përgjigjej edhe nevojave të qytetarëve.

“Rol të madh në funksionimin e republikës tonë parlamentare ka edhe Qeveria, e cila është njëra nga sponzorizuesit më të mëdhenj të ligjeve që vijnë në Kuvendin e Kosovës. Ata as për së afërmi nuk kanë arrit me implementu agjendën legjislative që e kanë krijuar vetë”, tha Tahiri.

Ndërkaq, shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri tha se Kuvendi tash e sa muaj është i bllokuar dhe jo funksional.

Tahiri tha se kjo nënkupton që shumica parlamentare, koalicioni qeverisës kanë probleme serioze me menaxhimin e përgjegjësive që kanë marrë, si në kuvend, po ashtu edhe në qeveri.

“Edhe sot dështoi mbledhja e Kryesisë së Kuvendit.Në historinë e jetës parlamentare nuk mbahet mend që një shumicë të ketë mbi 61 vota, ndërsa tash pesë mbledhje të Kryesisë të dështojnë dhe para jush të kemi 37 pika të rendit të ditës të cilat duhet të shqyrtohen në Kuvend dhe si rrjedhojë kryetari i Kuvendit të merr vendim të thërret seancë të enjten në ora 10:00”, tha shefi i deputetëve të AAK-së.

Sipas tij, së paku katër ditë duhet të mbajnë seancë për ta zënë hapin e punës.

Ai tha se agjenda legjislative ka qenë ambicioze përderisa ligjet që kanë ardhur në Kuvend janë ligje që realisht nuk hyjnë në procedurë këtë vit.

Tahiri tha se Ligji për paga në sektorin  publik është një ligj shumë i rëndësishëm pasi trajton pagën në një situatë kur tani janë ngritur çmimet dhe ka rritje të shpenzimeve të familjeve.

Ai më tej tha se zgjedhjet lokale kanë ndikuar në funksionimin e Kuvendit dhe duhet një reflektim serioz./Insajderi.com