Ministria e Punëve të Brendshme dhe Radiotelevizioni Publik i Serbisë kanë prezantuar serinë e re të dokumentarëve “Dosja e Kosovës”, e cila “trajton kronologjinë e ngjarjeve, fatet e civilëve dhe pjesëtarëve të Policisë në Kosovë në periudhën 1998-2001”.
Sipas njoftimit të MPB-së serbe, seriali do të përfshijë gjashtë filma. Dy të parët do të transmetohen në fillim të vitit të ardhshëm dhe “u kushtohen civilëve të vrarë dhe 118 policëve që vdiqën në Kosovë në vitin 1998”, përcjell Insajderi.com.
Ministri i Punëve të Brendshme i Serbisë, Aleksandar Vulin, duke paralajmëruar serialin, theksoi se “Ministria ka detyrimin të ruajë të vërtetën për kohën e rebelimit të armatosur shqiptar dhe agresionit të NATO-s kundër vendit tonë”.
“Prandaj jemi duke e përpunuar këtë pjesë të rëndësishme, që nga viti 1998, kur policia praktikisht luftoi me terroristët shqiptarë, deri në vitin 2001, kur kemi pjesën e fundit të kryengritjes së armatosur në rajonin e Preshevës dhe Bujanocit”, tha Vulin.
Siç ka theksuar ai, “Serbisë me dekada i është ndaluar të kujtojë dhe shkruajë historinë e saj”.
“Për dekada më të këqijtë prej nesh kanë vendosur që është më mirë të mos thonë të vërtetën, që të mos ofendojmë me atë të vërtetë ata që vranë fëmijët tanë. Ministria e Punëve të Brendshme, ashtu si ish-Ministria e Mbrojtjes, nuk do të lejojë që diçka e tillë të ndodhë më kurrë”, tha ministri.
Vulin shtoi se “seriali është i organizuar, sistematik, i dokumentuar dhe i bazuar në të vërteta dhe prova, një mënyrë për të treguar historinë serbe dhe historinë tonë”.
“Nëse ne nuk e shkruajmë historinë tonë, të tjerët do ta shkruajnë për ne. “Sa herë që të tjerët shkruajnë historinë tonë, ne jemi agresorë, vrasës, nuk ka drejtësi për fëmijët tanë”, tha Vulin, duke shtuar se MPB është krenare për bashkëpunimin me RTS-në.
Nga ky bashkëpunim do të realizohen së paku gjashtë filma , thuhet në njoftim dhe bëhet e ditur se “filmat do të mbulojnë gjithçka që ndodhi në Kosovë, gjithçka që i parapriu agresionit të NATO-s dhe që ishte një rebelim i armatosur nga viti 1998 deri në vitin 2001”.
“Çdo histori do të tregohet, çdo gjë do të dokumentohet, asnjë nga emrat tanë nuk do të harrohet. Ministria e Punëve të Brendshme ka për obligim të ofrojë siguri, të mbrojë pronën e çdo qytetari të Serbisë, por ka edhe obligim të ruajë historinë”, pohoi Vulin.
“Nëse heshtim për këtë, do të përballemi sërish me ndonjë të keqe. Kjo nuk duhet të ndodhë më. Populli serb do ta shkruajë historinë e tij, sepse nuk ka asgjë për t’u turpëruar, sepse lufta jonë ishte e madhe, sepse lufta jonë nuk ka mbaruar”, tha ministri./Insajderi.com