Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka emëruar Rifat Latifin – ministër të ri të Shëndetësisë.
Kurti lajmin e ka bërë të ditur të martën përmes një konference për media.
“Unë si kryeministër posa kam nënshkruar vendimin për ministrin e ri të shëndetësisë. Ministër do të jetë doktor Rifat Latifi”, ka thënë Kurti.
Kirurgu Rifat Latifi vepron dhe jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Latifi është shef i Kirurgjisë së Përgjithshme në Qendrën Mjekësore Westchester në New York, profesor në Universitetin e Arizonës, anëtar i Kolegjit Amerikan të Kirurgëve dhe Kolegjit Ndërkombëtar të Kirurgëve, kryetar themelues i Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës, që nga dhjetori i vitit 2018.
Në vitin 2009, Latifi ishte emëruar këshilltar për shëndetësi nga kryeministri i atëhershëm, Hashim Thaçi./Insajderi.com