Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere me shumicë votash ka miratuar në parim Projektligjin mbi Ndarjet Buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2022.
Projektbuxhetin për vitin 2022, i cili parashihet të jetë mbi 2.7 miliardë euro, në mbledhjen e komisionit të mërkurën, e ka prezantuar Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati.
“Ky Projektligj parasheh mbi 2 miliardë euro si shpenzime kurse të hyra janë mbi 2 miliardë euro. Kemi një ngadalësim lidhur më deficitin. Risi në këtë Projektligj parashihen përveç rritjes në disa dikastere ka edhe vazhdimin e ringjalljes ekonomike”, tha Murati.
Në anën tjetër, opozita ka pasur kritika për Projektbuxhetin,duke thënë se nuk është zhvillimor.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Mërgim Lushtaku, tha se në buxhet ka shumë lëshime, duke filluar nga numri i ministrive e agjencioneve.
“Ky Projektligj le shumë për të dëshiruar. Ka disa lëshime teknike. Qeveria thotë se ka ma pak ministri, por ju në tabela keni figura edhe ministritë që s’janë funksionale”, tha Lushtaku.
Derisa për këtë ka reaguar ministri Murati duke thënë se me anë të këtij Projektbuxheti ka një rënie të borxhit publik nga 32 për qind në 27 për qind.
Sipas tij, për dallim nga vitet e kaluara ky buxhet është i balancuar.
“Këtë vit kemi buxhet të balancuar për dallim të viteve paraprake dhe çështjet tjera janë teknike”, u shpreh ministri Murati.
Lushtaku më tej tha se është rritur borxhi publik, është ulur buxheti për Ministrinë Shëndetësisë dhe është rritur ai për Ministrinë e Infrastrukturës.
“Shihet qartë që ka rritje prej se jeni ju në Qeveri. Ku keni zvogëluar buxhetin për Shëndetësi dhe keni rritur buxhetin për Ministrinë Infrastrukturës”.
Murati fajin për rritjen e buxhetit në Infrastrukturë ja ka lenë Qeverisë së kaluar.
“Neve na i keni lenë borxhe ju në Infrastrukturë dhe ne s’e kemi rrit buxhetin’ por po i shlyejmë borxhet e juaja”./SHQIP.com