Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve këtë të enjte do të fillojë numërimi i votave me kusht dhe i atyre të personave me aftësi të kufizuara.
Procesi i numërimit të këtyre votave do të fillojë në orën 16:00.
Kështu ka bërë të ditur zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi.
“Sot (18 nëntor, ora 16:00) në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve do të fillojë numërimi i votave me kusht dhe votave të personave me nevoja të veçanta, të cilat u takojnë raundit të dytë të Zgjedhjeve për Kryetarë të 21 Komunave që u mbajt më 14 nëntor”, ka thënë Elezi.
Ndryshe, raundi i dytë i zgjedhjeve lokale është mbajtur më 14 nëntor.
Në këtë raund të zgjedhjeve, nga 21 komuna sa ishin në total, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës kanë fituar nga pesë komuna, Lëvizja Vetëvendosje katër, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës tri dhe Nisma Socialdemokrate një komunë./Insajderi.com