Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri ka kërkuar dorëheqjen e Avokatit të Popullit, Naim Qelaj.
Pas dështimit të mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, ai shfrytëzoi rastin të flet edhe për vendimin e Avokatit të Popullit për mos-dërgimin e çështjes së Valdete Dakës në Gjykatën Kushtetuese, shkruan Insajderi.com.
Tahiri tha se është i papranueshëm vlerësimi nga Qelaj, se vendimi ka qenë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.
“Vlerësimet e tija janë të papranueshme, vlerësimi se vendimi paska qenë në përputhje me Kushtetutën siç e ka bërë janë të papranueshme dhe mendoj që mbas këtij aktit të turpshëm ai nuk do duhej të qënroj më në atë zyre. Ai i kishte bo nder edhe vetit edhe pozitës me jep dorëheqje”, u shpreh Tahiri.
“Dhe nga sot atij veç Avokat i Popullit nuk mundemi me i thanë, atij mund t’i themi avokat i Vjosa Osmanit, i presidentes, por jo Avokat i Popullit dhe unë nuk mendoj se ai duhet të qëndroj në atë pozitë”, tha ai.
Avokati i Popullit, më 18 nëntor 2021, kishte nxjerrë vendimin, në të cilin refuzohej kërkesa e paraqitur nga ish kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka.
Refuzimin e kësaj kërkese e ka bërë sipas Ligjit për Avokatin e Popullit i cili përcakton se Avokati i Popullit refuzon kërkesat kur të gjitha mjetet juridike të rregullta dhe të jashtëzakonshme nuk janë shteruar.
“Në rastin konkret Valdete Daka nuk i ka shfrytëzuar mjetet juridike, prandaj Avokati i Popullit ka vendosur që kërkesa të refuzohet, pa paragjykuar nëse Vendimi i Presidentes për ndërprerjen e mandatit të saj është i drejtë dhe në pajtim me ligjin”, thuhet në njoftim.
Në njoftim thuhet se Avokati i Popullit ka gjetur se kërkesa e Valdete Dakës është çështje ligjore që nuk mund të jetë objekt i shqyrtimit nga Gjykata Kushtetuese.
“Çështja e ngritur nga znj. Daka paraqet një çështje ligjore dhe se në këto rrethana do të duhej të vlerësohej ligjshmëria e Vendimit të Presidentes, e që kjo nuk mund të jetë objekt i vlerësimit nga Gjykata Kushtetuese”, thuhej në njoftim./Insajderi.com