Abdixhiku: Lajmi për aksidentin tragjik na ka lënë pa fjalë

Abdixhiku: Lajmi për aksidentin tragjik na ka lënë pa fjalë

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, tha se e ka lënë pa fjalë dhe me dhimbje lajmi për aksidentin tragjik në Bullgari ku vdiqën 46 persona, përcjell Insajderi.com.

Përmes një postimi në Facebook, Abdixhiku u ka shprehur ngushëllime familjeve të viktimave teksa ka uruar që të lënduarit të shërohen sa më parë.

“Lajmi për humbjen tragjike të 46 jetëve në aksidentin fatal në Bullgari, na lë pa fjalë e me dhimbje shumë secilin prej nesh. Në këto momente të vështira, u shpreh nugshëllimet më të sinqerta familjeve dhe të afërmve të viktimave. Shpirti i tyre pushoftë në paqe. Lutemi që të lënduarit të shërohen sa më parë.

Në emër të LDK-së, sot në mëngjes i kam shprehur ngushëllime dhe Kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev”, shkroi Abdixhiku.

Ndryshe, në orët e para të mëngjesit të së martës, një autobus që po qarkullonte nga Stambolli, u aksidentua dhe u përfshi nga flakët në Sofje të Bullgarisë, duke lënë kështu së paku 46 persona të vdekur.

Autobusi kishte për destinacion Shkupin dhe shumica e viktimave që ishin shqiptarë të Maqedonisë së Veriut ishin në një ekskurzion në Stamboll./Insajderi.com