Në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës të mërkurën, është shkarkuar nga pozita e kryeinspektorit të Inspektoriatit të Tregut, Lulzim Syla, përcjell Insajderi.com.
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, në propozimin e saj ka deklaruar se emërimi i tij në këtë pozitë është bërë në mënyrë të paligjshme.
Hajdari deklaroi se në bazë të Ligjit të ri për zyrtarët publik, nuk lejohet që i njëjti të zgjedhet në të njëjtën pozitë pas përfundimit të mandatit të dytë.
“Syla është emëruar me vendim të datës 25 qershor 2014 për një mandat 3-vjeçar. Gati një vit pas përfundimit të mandatit të parë është emëruar për një mandat të dytë, i është vazhduar mandati për 3 vjet me vedimin e datës 23 mars 2018 duke iu referuar Ligjit për shërbim civil të Republikës së Kosovës.
Në prag të përfundimtit të mandatit të dytë, i është vazhduar mandati për 4 vite me vendimin e datës 26 shkurt 2021. Ky vendim është nxjerrë pasi ka hyrë në fuqi Ligji për zyrtarët publik”, tha Hajdari në mbledhjen e Qeverisë.
Ndryshe, në mbledhjen e së mërkurës, Qeveria ka miratuar edhe disa projektligje të cilat lidhen me turizmin, por edhe për market tregtare dhe projektligjin për mbrojtjen e sekreteve tregtare.
Por, të mërkurën është aprovuar edhe Projektligji për ratifikimin e këmbimit të notave diplomatike./Insajderi.com