Pahor: Dialogu Kosovë-Serbi të vazhdojë, Sllovenia mbështetë integrimin e Kosovës në BE

Pahor: Dialogu Kosovë-Serbi të vazhdojë, Sllovenia mbështetë integrimin e Kosovës në BE

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe homologu i saj nga Sllovenia, Borut Pahor, janë deklaruar para mediave pas takimit të tyre të mbajtur gjatë paradites të së hënës në Kosovë, njofton Insajderi.com.

Derisa Osmani kërkoi përkrahjen e Sllovenisë për integrimin më të shpejtë të Kosovës në Bashkimin Evropian, Pahor thotë se vendi që përfaqëson do të angazhohet që shtetet anëtare të Unionit, që nuk e kanë njohur Kosovën ende si shtet, ta pranojnë atë sa më parë.

“Sllovenia e ka pranuar Kosovën, me Kosovën ka marrëdhënie të shkëlqyeshme ekonomike dhe politike, e kuptojmë se duhet të futet në Bashkimin Evropian, pasi që disa shtete të Bashkimit Evropian nuk e kanë pranuar Kosovën, do të doja të theksoja bisedën time me kryetaren ku potencohet angazhimi jonë që këto shtete ta pranojnë Kosovën sa më parë”, ka thënë Pahor.

Presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor, në konferencë për media gjatë vizitës në Kosovë

Në adresimin e tyre për media, presidentët e Kosovës dhe Sllovenisë, kanë përmendur edhe dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, për çka Osmani ripërsëriti qëndrimin e Kosovës se njohja reciproke duhet të jetë në qendër të këtij dialogu.

“Republika e Kosovës gjithnjë ka qenë pala konstruktive në procesin e dialogut, ashtu siç është përmendur edhe nga Presidenti Biden dhe shumë fqinj tanë në botë, njohja reciproke duhet të jetë përfundim i këtij dialogu. Bashkimi Evropian duhet të jetë i qartë me Serbinë dhe t’i kërkojë që të ndërpresë veprimet e saj të destabilizimit të rajonit”, ka thënë ajo.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani

Ndërkaq, Pahor thotë Sllovenia e mbështetë dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, teksa shton se ndryshe prej asaj që thuhet në Kosovë, gjatë vizitës së tij në Beograd ka parë se ka vullnet politik që të vazhdohen bisedimet.

“Sllovenia e mbështetë Kosovën, mbështetë dialogun i cili nuk është i thjeshtë dhe duhet të zgjidhen shumë çështje nëse ka vullnet politik. Pas bisedës me Vuçiqin nuk mund të mos e them se në Beograd ka vullnet politik që të vazhdohet me dialog”, ka thënë ai.

Ndërkaq, Osmani thotë se pala e Kosovës asnjëherë nuk ka qenë destruktive në dialog dhe se mbron me çdo kusht parimet dhe interesat e vendit që çojnë në stabilitet të sigurisë së vendit dhe gjithë rajonit.

Sa i përket iniciativës së Ballkanit të Hapur, Pahor thotë se “nëse shtetet brenda Procesit të Berlinit apo brenda Ballkanit të hapur të bashkëpunonin ekonomikisht, mund të kishin ardhur deri te zgjidhja e disa problemeve”.

Kurse, Osmani ka treguar edhe një herë pse Kosova nuk pranon të bëhet pjesë e një iniciativë të tillë, që sipas saj rolin kryesor në të po tenton ta luajë Serbia.

“Në këtë moment që Serbia po tenton ta luajë rolin kryesor në këtë inciativë, nuk ka qëllime të mira për rajonin tonë. Përderisa synon që Kosova të hyjë në iniciativa të tilla si provincë e saj, natyrisht që kjo iniciativë nuk i shërben vendit tonë e as rajonit”, tha ajo. /Insajderi.com