Prokuroria për vrasjen në Gllogjan: Hetimet nuk janë të lehta

Prokuroria për vrasjen në Gllogjan: Hetimet nuk janë të lehta

Prokuroria Themelore në Pejë ka deklaruar se “hetimet nuk janë të lehta”, lidhur me zbardhjen e rastit të vrasjes së tre personave mbrëmjen e 26 nëntorit në Gllogjan të Deçanit, përcjell Insajderi.com.

Prokurorja e këtij rasti, Sahide Gashi, ka njoftuar se kanë siguruar disa informacione dhe që janë duke i gjurmuar për t’i vërtetuar ato.

“I kemi disa indikacione, të cilat jemi duke i gjurmuar dhe jemi duke ecur përpara që t’i vërtetojmë. Disa rrethana na tregojnë se nuk do ta kemi të lehtë, por unë jam optimiste se do ta bëjmë”, ka thënë ajo për REL.

Ndryshe, mbrëmjen e 26 nëntorit, një person në Gllogjan të Deçanit, ka sulmuar me armë zjarri një autobus me nxënës, ku mbet i vdekur shoferi dhe dy nxënës.

Policia e Kosovës është deklaruar për rastin duke thënë se ende nuk është i qartë motivi i sulmit, teksa kanë shtuar se nuk kanë arsye për të besuar se ka të bëjë me një akt terrorist.

Ndërkaq, Policia ka ofruar edhe 20 mijë euro shpërblim për këdo që ka informacione për sulmuesin dhe që çon në zbardhjen e këtij rasti.

Kursre, të shtunën, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, në një konferencë për media nga Stacioni Policor në Deçan, i ka bërë ultimatum kryesit të kësaj vepre që të dorëzohet para organeve të sigurisë./Insajderi.com