Dodik: Do të më ndihmojë Putini nëse kam probleme me perëndimin

Dodik: Do të më ndihmojë Putini nëse kam probleme me perëndimin

Anëtari serb i presidencës së Bosnje e Hercegovinës, Milorad Dodik, thotë se do të ndihmohet nga presidenti i Rusisë, Vladimir Putin dhe ai kinez, Xi Jinping, në rast se do të ketë probleme me perëndimin, transmeton Insajderi.com.

Kështu është shprehur ai për “The Guardian”, gjatë kohës kur po akuzohet për nxitje të konfliktit.

“Kur shkoj te Putini, nuk ka kërkesa. Ai vetëm thotë: ‘Me çfarë mund të ndihmoj?’. Për çfarëdo që kam folur me të, nuk jam mashtruar kurrë”, ka thënë Dodik.

Edhe për udhëheqësin e Kinës, Xi Jinping, thotë se i njëjti i thotë “nëse ka ndonjë gjë me të cilën mund të ndihmoj, unë jam këtu”.

Udhëheqësit serb të presidencës së Bosnjës i është kërkuar së fundmi të ndalojë qëllimin e tij për të tërhequr pjesën serbe të Bosnjës nga institucionet shtetërore.

Propozimi u cilësua në një raport të OKB-së si një “ndarje” dhe një rrezik për Marrëveshjen e Paqes të Dejtonit të vitit 1995, e cila i dha fund luftës civile pas shpërbërjes së Jugosllavisë. /Insajderi.com