Bajrami për vrasjen në Gllogjan: Institucionet të kërkojnë ndihmë nga ndërkombëtarët

Bajrami për vrasjen në Gllogjan: Institucionet të kërkojnë ndihmë nga ndërkombëtarët

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, tha se institucionet e vendit duhet kërkuar ndihmë nga ndërkombëtarët, në radhë të parë te institucionet e sigurisë amerikane, për vrasjen e tre personave në Gllogjan të Deçanit mrëmjen e 26 nëntorit, përcjell Insajderi.com.

Përmes një postimi në Facebook, Bajrami theksoi se Qeveria e Kosovës nuk duhet “të kursejë asgjë për të zbardhur vrasjen e trefishtë”.

“Qeveria e Kosovës, Ministria e Punëve të Brendshme, Policia e Kosovës, Agjencia Kosovare e Inteligjencës duhet të japin përgjegjësi bashkërisht për mungesë të rezultateve në zbardhjen e vrasjeve në Gllogjan të Deçanit.

Nëse institucionet tona s’po bien në gjurmë të vrasësit/vrasësve, atëherë duhet kërkuar ndihmën te miqtë tanë. Në radhë të parë te institucionet e sigurisë amerikane. Qeveria e Republikës së Kosovë nuk duhet të kursejë asgjë për të zbardhur vrasjen e trefishtë”, thuhet ndër tjerash në njoftim.

Sipas saj, që nga paslufta janë mbi 400 vrasje të cilat ende nuk janë zbardhur.

“Prej pasluftës janë mbi 400 vrasje të pazbardhura. Secila vrasje duhet të zbardhet dhe posaçërisht vrasja e dy nxënësve dhe shoferit që ndodhi të premten në Gllogjan të Deçanit”, shton tutje ajo.

Ndryshe, mbrëmjen e 26 nëntorit, një person në Gllogjan të Deçanit, ka sulmuar me armë zjarri një autobus me nxënës, ku mbet i vdekur shoferi dhe dy nxënës.

Policia e Kosovës është deklaruar për rastin duke thënë se ende nuk është i qartë motivi i sulmit, teksa kanë shtuar se nuk kanë arsye për të besuar se ka të bëjë me një akt terrorist.

Ndërkaq, Policia ka ofruar edhe 20 mijë euro shpërblim për këdo që ka informacione për sulmuesin dhe që çon në zbardhjen e këtij rasti.

Kursre, të shtunën, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, në një konferencë për media nga Stacioni Policor në Deçan, i ka bërë ultimatum kryesit të kësaj vepre që të dorëzohet para organeve të sigurisë./Insajderi.com