Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, njëherësh komandante supreme e Forcave të Sigurisë së Kosovës, ka emëruar gjeneralmajor Bashkim Jasharin komandant të ri të FSK-së.
Siç bëhet e ditur në njoftim, emërimi është bërë siç parashihet në ligjin për FSK-në, pas propozimit të ministrit të Mbrojtjes dhe rekomandimit të kryeministrit të Kosovës.
“Para emërimit të komandantit të ri të FSK-së, Presidentja e Republikës së Kosovës, mbështetur në dispozitat ligjore, ka dekretuar lirimin nga detyra të komandantit të deritanishëm të FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, pas paraqitjes së dorëheqjes nga ana e tij”, thuhet në komunikatën për media të Presidencës.
Bashkim Jashari vjen nga familja heroike e Adem Jasharit nga Prekazi.
Për emërimin e tij në krye të Ushtrisë së Kosovës ka shkruar edhe Bekim Jashari, kryetari në largim i Komunës së Skenderajt, i cili po ashtu vjen nga familja heroike Jashari.
“Gjenerali nga familja jonë, nipi i Komandantit Legjendar Adem Jashari, Bashkim Rifat Jashari, sot është emëruar Komandant i Forcës së Sigurisë së Kosovës, ushtrisë tonë të ndërtuar mbi rrugën e trasuar nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës”.
“Bashkimi ashtu si në luftë krah balit Adem, babushit Hamëzes e babës Shaban, edhe sot në paqe do të vazhdoj rrugën e tyre, duke kontribuar në fuqizimin e ushtrisë sonë dhe integrimin e saj në mekanizmat nderkombëtar”, ka shkruar ai në Facebook.
Më tej, ka thënë se “ah sikur të ishte gjallë Komandanti Legjendar Adem Jashari, të të shihte duke udhëhequr ushtrinë e shtetit tonë, për të cilin luftoj deri në rënien heroike të tij, bashkë me familjen dhe ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”./Insajderi.com