I akuzuari për vrasjen e Agonis Tetajt padit trupin gjykues, kërkon dëmshpërblim 100 mijë euro

I akuzuari për vrasjen e Agonis Tetajt padit trupin gjykues, kërkon dëmshpërblim 100 mijë euro

Avokati Besnik Berisha ka njoftuar se Shaban Gogaj, i akuzuar për vrasjen e Agonis Totajt ka paditur trupin gjykues të rastit në fjalë, pasi rihapën shqyrtimin gjyqësor.

Sipas Berishës, kryetarja dhe anëtarët e trupit gjykues janë paditur për shkak të rihapjes së shqyrtimit gjyqësor.

Berisha cilëson se me vendimi për rihapje të shqyrtimit gjyqësor i ka shkaktuar dëme të pariparueshme Gogajt dhe familjes së tij.

“Të bindur se vendimet dhe veprimet e trupit gjykues në çështjen penale kundër z. Shaban Gogaj, që nga rihapja e shqyrtimit gjyqësor e deri më datën 25 nëntor 2021 ishin jo vetëm arbitrare, të kundërligjshme dhe kundërkushtetuese, por edhe skajshmërisht të rrezikshme për sigurinë juridike, e për të cilat gjyqtarët nuk mbrohen nga imuniteti funksional, në cilësi të përfaqësuesit të z. Gogaj dhe prindit të tij, me datën 26 nentor 2021, pranë Gjykatës Themelore në Pejë kemi deponuar padi për kompenzimin e dëmit jo material”, ka shkruar Berisha në Facebook.

Në publikimin e Berishës, në padi bëhet fjalë edhe për kompensim të dëmit jomaterial.

Ndaj të paditurve gjyqtarëve Violeta Rugova, Florije Zatriqi dhe Sami Sharraxhiu, vlera e kontestit është 100 mijë euro.

“Të paditur janë kryetarja dhe anëtaret e trupit gjykues, të cilet si asnjëherë më parë, duke përfillur një kërkesë të kundërligjshme të Kryeprokurorit të Shtetit dhe vartësve të tij, në shkelje të detyrimit të tyre ligjor e kushtetues, rihapen kundërligjshëm shqyrtimin gjyqësor, me c’rast dëme të pariparueshme i shkaktuan dhe vazhdojnë t’i shkaktojnë z. Gogaj dhe familjes se tij”, ka përfunduar Berisha./Insajderi.com