Syla për protestën: Nëse Qeveria s’reflekton, nga java tjetër me masa radikale

Syla për protestën: Nëse Qeveria s’reflekton, nga java tjetër me masa radikale

Kryetari i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, Blerim Syla, është deklaruar rreth grevës tetë-orëshe që po mbahet edhe të enjten në shëndetësi, transmeton Insajderi.com.

Ai thotë se kërkesat vazhdojnë të mbesin të njëjta – që të procedohet me Ligjin e Pagave.

Syla ka thënë se nëse Qeveria nuk reflekton, atëherë nga e hëna do të mblidhet Këshilli Drejtues dhe do të vendoset për hapa më radikal sindikal, e nuk do të shkohet më me greva tetë-orëshe.

“U them pacientëve të kenë durim edhe sot. Do të jepen vetëm shërbime emergjente sot. Greva e parë shkoi mirë, iu përgjigjën gjithë punonjësit shëndetësorë e nuk pati asnjë incident. Sot është grevë tjetër paralajmëruese. Nëse Qeveria nuk reflekton, e gjasat janë të vogla që të bëjë këtë, atëherë të hënën mblidhet Këshilli Drejtues, e atëherë merren vendime tjera të cilat me siguri se më nuk do të shkohet me greva 8-orëshe por me veprime radikale”, ka thënë ai në emisionin “Sot” të KTV-së.

“Këto nuk i dëshirojmë, është e rëndë këto ditë të bëjmë greva. Por injoranca e Qeverisë po na detyron të marrim veprime të tilla. Kërkesa jonë e vetme është të shkojë Ligji i Pagave. Mund të përmirësohet brenda javës, sepse disa agjenci të pavarura, gjykata e tjera, ku ka qenë i përfshirë edhe Avokati i Popullit, pasi atyre iu zbritke rroga, e për këtë arsye e kanë çuar në Kushtetuese. Arsyetimet tjera ishin demagogji”, është shprehur Syla.

“Në këto momente Qeveria nuk na ka ftuar, ka thënë se do të ftojë gjatë një kohe të pacaktuar. Por nëse nuk futet në Projekbuxhet e nuk është në draftin e parë, kam frikën se ky vit në futet në vitin 2022, ky është insistimi i Federatës”, ka thënë Syla.

Ai thotë se gjatë takimeve më herët që kishte pasur me partinë në pushtet, Lëvizjen Vetëvendosje, i ishte thënë se me ardhjen në pushtet do të përmirësohet Ligji i Pagave. Por se nuk po bëhet kjo.

“Se sa duhet paguar mjekësia e kemi pasur të qartë gjatë pandemisë. Por duhet kuptuar se mjekësia nuk është vetëm kohë pandemie. Nuk ka asgjë më të vlefshme se shëndeti. Nëse punonjësit shëndetësorë lihen në këtë gjendje, atëherë është e rëndë. Kemi punëtorë që punojnë me 377 euro në muaj. Momentin kur ftohemi do të paraqesim kërkesat tona”, tha Syla.

“Në Kosovë nga viti 2014 nuk ka pasur rritje pagash. Ligji në Kosovë thotë se çdo vit duhet pasur rritje të pagave mbi bazën e rritjes ekonomike. Nëse do të rriteshin pagat vetëm 5 për qind atëherë duhej të ketë rritje 40 për qind. I kemi ofruar Qeverisë ta bëjë këtë derisa të hyjë Ligji i Pagave. Por Qeveria nuk e ka bërë as këtë”, ka thënë Syla.

Edhe javën e kaluar u mbajt një grevë tetë-orëshe nga punonjësit shëndetësorë. /Insajderi.com