Sot mbahet konferenca përgatitore në rastin e Gucatit dhe Haradinajt

Sot mbahet konferenca përgatitore në rastin e Gucatit dhe Haradinajt

Në Gjykatën Speciale në Hagë këtë të enjte do të vazhdojë gjykimi ndaj ish-krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt.

Sipas njoftimit të kësaj gjykate, në orën 12:00 është paraparë të mbahet konferencë përgatitore për mbrojtjen.

Dy ditë më parë, Specialja ka hedhur poshtë mocionet e mbrojtjes për rrëzimin e akuzave ndaj Gucatit dhe Haradinajt.

Mbrojtja kërkoi nga Specialja që të hedh poshtë të gjitha akuzat ndaj Gucatit dhe Haradinaj, pasi sipas tyre, nuk ka prova të mjaftueshme përtej një dyshimi të arsyeshëm.

Por sipas Speciales, ekzistojnë prova të mjaftueshme, që i kanë konsideruar si konfidenciale, që Gucati e Haradinaj të mbahen ende në paraburgim.

Haradinaj dhe Gucati po akuzohen për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, frikësim gjatë procedurave penale, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës. Ata u arrestuan më 25 dhe 26 shtator të vitit 2020./Insajderi.com