Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka përkujtuar ish-presidentin e ndjerë Ibrahim Rugova në datën e ditëlindjes së tij, duke e quajtur “ideator të Republikës sonë të mosvarme”.
Si presidente e vendit, Osmani ka premtuar se do të kujdeset të ruajë trashëgiminë dhe miqësitë që Rugova ka krijuar, sidomos me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por edhe me vendet e Bashkimit Evropian.
“Në çdo ditëlindje të tij, ne e kujtojmë atë me mallin e respektin që bijtë e bijat e vendit e tregojnë për atin themelues të shtetit të tyre”.
“Por, e kujtojmë edhe si njeri model, skajshmërisht të butë në pamje e në komunikim, por po kaq këmbëngulës e të vendosur në vizionin e tij për ta realizuar ëndrrën e brezave për të jetuar të lirë”, ka shkruar Osmani në Facebook.
Më tej, ka thënë se “Rugova bashkë me shumë burra e gra që dhanë gjithçka për këtë vend, e rrënjosën thellë në shpirtrat tanë këmbënguljen për ta arritur lirinë e për ta krijuar shtetin e pavarur”.
“Përtej kësaj, ai e krijoi dhe na e la trashëgim edhe modelin e papërsëritshëm dhe të pakapërcyeshëm të politikanit humanist, unifikues i jashtëzakonshëm i popullit të vet e përafrues i madh i të tjerëve rreth vlerave të vendit të tij”.
“Ai insistonte që për ta arritur lirinë fizike, duhej kultivuar para së gjithash lirinë e brendshme, si premisë mbi të cilën do ta realizonim lirinë për veten e për të tjerët”.
“Ai na la trashëgim ura miqësie, të cilat i krijoi gjithandej globit, duke e vulosur përfundimisht aleancën e qëndrueshme e të përhershme të shqiptarëve me vendet demokratike. Këto, sikur dihet, i ndihmuan Kosovës që përfundimisht ta prekte ëndrrën për të jetuar e lirë, ëndërr që u bë realitet më 1999, me luftën çlirimtare të Kosovës”.
Ibrahim Rugova ishte udhëheqës politik, studiues dhe shkrimtar i shquar, i cili shërbeu si President i Kosovës nga viti 2002 deri në vdekjen e tij në 2006./Insajderi.com