“Fusnota dhe shumë marrëveshje tjera sikurse edhe ajo për asociacionin ishin dhe mbeten të dëmshme”.
Kështu ka thënë ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, pasi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e prezantoi Kosovën në Bruksel me fusnotë.
Kurti e kishte kundërshtuar vazhdimisht fusnotën gjatë kohës sa ishte opozitë.
“Këta që sot shtiren kinse janë kundrejt fusnotës, asokohe kur fusnota u instalua nuk e thanë asnjë fjalë të vetme kundër asaj marrëveshje (por as edhe të tjerave) përkundrazi iu bashkuan qeverisë së asaj kohe kinse fusnota ‘do të shkrihej porsi fjolla e borës’, prandaj këta askush nuk i merr seriozisht”, ka thënë Haxhiu.
“Koncesionet në kurriz të shtetit dhe qytetarëve që i bënë qeveritë e kaluara nuk mund të zhbëhen menjëherë”.
“Sot, Republika e Kosovës dhe qytetarët, përfaqësohen denjësisht nga kryeministri Kurti, brenda e jashtë vendit, fatkeqësisht këtë përfaqësim nuk e kemi parë kurrë më parë por fat i mirë që tani Kosova shihet ndryshe”, deklaroi Haxhiu.
“Fusnota”, përdoret pasi pesë shtete të Bashkimit Evropian ende nuk e kanë njohur Kosovën.
Ajo ishte vendosur në kuadër të procesit të Brukselit.
Por, opozita e asaj kohe; Lëvizja Vetëvendosje e kishte kundërshtuar ashpër “fusnotën”. /Insajderi.com