Insistimin e Përfaqësuesit të lartë të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, Dushan Janjiq nga Forumi për marrëdhënie etnike në Beograd e sheh si përzierje në diçka që nuk i takon shefit të diplomacisë evropiane.
Janjiq thotë se në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, roli i BE-së është mbështetës dhe lehtësues, por assesi imponues apo i një arbitri.
“Nuk është puna e tij që të vlerësojë se a është kërkesa e Beogradit e drejtë. Ai me siguri që nuk e di që grupi punues që duhet ta hartojë statutin (e Asociacionit), i cili grup përbëhet nga përfaqësuesit e katër komunave me shumicë serbe, kurrë nuk ia ka dorëzuar atë statut BE-së”, deklaron ai për Radio Evropa e Lirë.
“Ky është një arsyetim i mirë për palën e Kosovës. Pra, ai (Borrell) është jokompetent për atë çështje, dhe në rregull, sepse nuk duhet të dijë gjithçka. Por, problemi është që ai që para tij e udhëheq dialogun (i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak) nuk e ‘ndriçon’ udhëheqësin e tij. Problemi i tyre është se ata nuk kanë pasqyrat e vërteta dhe as që iu intereson zhvillimi i dialogut”.
Në një konferencë të përbashkët për media me Borrellin në Bruksel më 7 dhjetor, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se janë 33 marrëveshje që janë arritur në Bruksel, por Beogradi insiston në zbatimin e vetëm njërës, atë të Asociacionit, por të cilën, siç tha ai, Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka vlerësuar si marrëveshje jokushtetuese.
Por, Borrell, insistoi se kjo ishte njëra prej marrëveshjeve të arritura në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë dhe si e tillë duhet të respektohet, duke e vlerësuar marrëveshjen për Asociacionin si më të rëndësishmen.
Ai theksoi se vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk e përjashton themelimin e Asociacionit.
“Kështu që, më vjen keq, por na duhet të kërkojmë zbatimin e kësaj marrëveshjeje”, tha Borrell.
Themelimi i Asociacionit është paraparë me Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013, të arritur mes Kosovës dhe Serbisë. Dy vjet më vonë, të dyja palët janë pajtuar edhe për parimet për themelimin e tij.
Asociacioni parashikohet që të mbledhë rreth vetes dhjetë komuna në Kosovë ku shumica e popullsisë janë serbë, të cilat janë Mitrovica e Veriut, Kllokoti, Parteshi, Ranillugu, Graçanica, Zveçani, Zubin Potoku, Novobërda, Leposaviqi dhe Shtërpca.
Asociacioni parashihet të ketë organe dhe strukturë organizative. Sipas marrëveshjes, Asociacioni është paraparë të ketë një kuvend si trup suprem, të përbërë nga përfaqësues të emëruar prej anëtarëve të zgjedhur nga kuvendet e komunave pjesëmarrëse.
Sipas marrëveshjes, Asociacioni ka për qëllim të përfaqësojë interesat kolektive të atyre komunave, në veçanti në fushën e arsimit, shëndetësisë, planifikimit urban dhe rural si dhe të ekonomisë.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës më 23 dhjetor 2015 kishte marrë vendim që Asociacioni i komunave me shumicë serbe të themelohet ashtu siç është paraparë me Marrëveshjen e parë të Brukselit, të arritur në prill të vitit 2013, në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Megjithatë, Gjykata kishte konstatuar se parimet e përgjithshme të Asociacionit nuk janë tërësisht në përputhshmëri me frymën e Kushtetutës. Në fakt, është e diskutueshme që Asociacioni nuk bazohet në multietnicitet, por bashkon komuna në të cilat një komunitet etnik është shumicë./Insajderi.com