Kurti: Me Serbinë s’do të ketë marrëveshje pa zbardhjen e fatit të të pagjeturve

Kurti: Me Serbinë s’do të ketë marrëveshje pa zbardhjen e fatit të të pagjeturve

Në Ditën e të Drejtave të Njeriut, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se puna më me prioritet dhe urgjente duhet të jetë zbardhja e fatit të personave të zhdukur gjatë luftës.

Gjatë fjalimit para Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, Kurti tha se “marrëveshje me Serbinë nuk do të ketë pa zbardhjen e kësaj çështjeje”, përcjell Insajderi.com.

“Ne kemi bërë të qartë se kjo çështje është prioritet dhe gjithmonë e kemi bërë të ditur për këtë. Unë besoj që e keni përcjellë edhe ju se personalisht kam qenë i zëshëm me akterë relevantë ndërkombëtar, e kam përmendur çështjen e të zhdukurve me dhunë. Po e përmend se marrëveshje me Serbinë nuk do të ketë pa zbardhjen e kësaj çështjeje”, deklaroi ai.

Ilustrim

Më tej, kreu i Qeverisë së Kosovës deklaroi se e kanë kërkuar amandamentimin e Ligjit, mirëpo ende s’ka përfunduar

“Në nëntor e kemi nisur draftimin e Ligjit dhe në gjashtë muajt e parë të 2022-s do të kemi mekanizëm, që do të adresojë krimet e luftës. Po punojmë që të bëjmë më të mirën që të mbyllim plagët e juaja por edhe neve. Jam i bindur që me Andin Hotin keni një bashkëpunim të shkëlqyer”, përfundoi Kurti./Insajderi.com