Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka nënshkruar të premten dy marrëveshje me Bankën Evropiane për Investime (BEI) dhe Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), për ndërtimin e Impiantit për Trajtimin e Ujërave të Zeza në Mitrovicë, përcjell Insajderi.com.
Përmes njoftimit, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ka bërë të ditur se marrëveshjet e nënshkruara arrijnë vlerën prej 33.3 milionë eurosh.
“Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve Hekuran Murati, së bashku me përfaqësuesit e Bankës Evropiane për Investime (BEI) Matteo Rivellini dhe Cagin Pabucco, si dhe me përfaqësuesin e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZh) Matteo Colangeli, kanë nënshkruar sot marrëveshjet financiare për ndërtimin e impiantit për trajtimin e ujërave të zeza në komunën e Mitrovicës, në vlerë prej 19.8 milionë euro dhe 13.5 milionë euro, respektivisht”, thuhet ndër tjerash në njoftim.
“Projekti që bashkë-financohet nga këto dy institucione parasheh ndërtimin e impiantit për trajtimin e ujërave të zeza dhe rehabilitimin e rrjetit ekzistues. Rreth 213,000 qytetarë të regjionit të Mitrovicës pritet të përfitojnë nga ky projekt, përmes përmirësimit të kushteve mjedisore dhe shëndetit publik.
Zhvillimi i këtij projekti infrastrukturor do të zvogëlojë ndotjen e mjedisit, veçanërisht në lumin Ibër. Projekti mbështetet edhe nga Bashkimi Evropian, me një grant prej 5 milionë eurosh përmes Kornizës Investuese për Ballkanin Perëndimor”, thuhet ndër tjerash në njoftim./SHQIP.com