BE – Vulinit: Masakra e Reçakut nuk mund të mohohet, gjithçka është e dokumentuar

BE – Vulinit: Masakra e Reçakut nuk mund të mohohet, gjithçka është e dokumentuar

“Masakra e Reçakut nuk mund të mohohet, ajo që ndodhi aty dhe mizoritë e kryera në janar të vitit 1999 janë të dokumentuara mirë”, përcjell Insajderi.com.

Kështu ka deklaruar zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, duke i reaguar ministrit të Brendshëm serb, Aleksandar Vulin, i cili të premten tha se Masakra e Reçakut është “gënjeshtër” dhe “falsifikim”.

“Ajo që ndodhi në Reçak të Kosovës dhe mizoritë e kryera atje në janar të vitit 1999 janë të dokumentuara mirë”, tha Stano për REL.
Stano komentoi qëndrimin e zyrtarëve serbë, duke thënë se mohimi apo modifikimi i Masakrës së Reçakut, ku u vranë 45 civilë shqiptarë është në kundërshtim me vlerat e BE-së dhe projektin e integrimit të Ballkanit Perëndimor.

Ndryshe, të premten, Vulin ka vizituar ekipin i cili po xhiron një film dokumentar, që sipas tyre, ka për qëllim “dokumentimin e të vërtetës së kësaj ngjarjeje”.

Këtë film dokumentar është duke e financuar Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë dhe Radio Televizioni i Serbisë.

Ministri serb që kishte shërbyer në partinë e gruas së “kasapit të Ballkanit”, Slododan Millosheviq, tha se detyrë e gjeneratës së re është “t’ia shfaqë botës se Reçaku ishte gënjeshtër dhe se gjaku i fëmijëve serbë bie mbi ata që e kanë zbuluar këtë gënjeshtër”.

“Agresioni i NATO-s filloi pas një gënjeshtre të tmerrshme për Reçakun. Në atë kohë ne nuk ishim mjaftueshëm të mençur për t’ia shfaqur botës se ishte një gënjeshtër e tmerrshme. Detyra e kësaj gjenerate është t’i tregohet botës se ata na bombarduan dhe na bënë kriminelë falë atyre gënjeshtrave”, ka thënë Vulin./Insajderi.com