Tri vjet nga formimi i Ushtrisë së Kosovës

Tri vjet nga formimi i Ushtrisë së Kosovës

Më 14 dhjetor të vitit 2018, Parlamenti i Kosovës, me 106 vota pro dhe një abstenim, pati miratuar tri ligjet që e ndryshonin mandatin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), në ushtri të Kosovës.

Ligjet që u miratuan janë, Projektligji për Ministrinë e Mbrojtjes, Projektligji për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe Projektligji për shërbim në Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Deputetët serbë në Parlamentin e Kosovës nuk morën pjesë në seancë. Ata e kishin kundërshtuar formimin e ushtrisë së Kosovës dhe paralajmëronin se vendimin e kuvendit për ushtrinë do ta dërgonin në Gjykatën Kushtetuese.

Udhëheqësit e institucioneve të Kosovës, votimin dhe miratimin e ligjeve për ushtrinë e cilësonin si “një  ditë historike dhe një nga vendimet më të rëndësishme që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës”.

Mbështetje Parlamentit të Kosovës për shndërrimin e FSK-së në ushtri përmes ligjeve, i dhanë dy ish-ambasadorët në Kosovë, ai i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Philip Kosnett dhe ai i Britanisë së Madhe, Ruari O’Connel.

Forca e Sigurisë së Kosovës u themelua më1 janar 2009, pas shpërbërjes së TMK-së (Trupave Mbrojtës të Kosovës). FSK-ja ndodhet në fazën paraprake drejt formimit të një ushtrie plotësisht funksionale./Insajderi.com