Komisioni i Venecias publikon raportin për reformat në sistemin prokurorial të Kosovës

Komisioni i Venecias publikon raportin për reformat në sistemin prokurorial të Kosovës

“Reforma s’duhet të çojë në ndikime politike, pasi që reforma parasheh që përzgjedhja e shumicës së anëtarëve të Këshillit Prokurorial të Kosovës të bëhet me shumicë të thjeshtë në Kuvend”.

Kështu thuhet në raportin e Komisionit të Venecias, i cili ka nxjerrë rekomandimet e veta për reformat e synuara nga Qeveria Kurti për sistemin prokurorial në Kosovë.

Përveç përbërjes së re të KPK-së, pika tjera në të cilat është fokusuar ky Komision janë procedura e përzgjedhjes, shkarkimi i tyre dhe zëvendësimi i anëtarëve aktualë e përjashtimi i Kryeprokurorit të shtetit si anëtar ex-officio.

Këshilli Prokurorial i Kosovës

Komisioni i Venecias ka thënë se propozimi i reduktimit të numrit nga 13 në 7, në kuadër të Këshillit Prokurorial, s’është në kundërshtim me standardet evropiane.

Rekomandim tjetër ka qenë që kryeprokurori i shtetit të mbetet si anëtar ex-officio i KPK-së.

Ndërsa sa i përket përfundimit të mandatit të anëtarëve aktualë të KPK-së, Komisioni i Venecias ka thënë se “KPK-ja nuk duhet të funksionojë vetëm me katër anëtarët e zgjedhur nga Kuvendi dhe se përbërja e re duhet të fillojë vetëm pasi të jetë e plotë me zgjedhjen e 7 anëtarëve”.

Lidhur e këtë opinion të Komisionit të Venecias – i publikuar të martën e 14 dhjetorit – Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, ka thënë se është fillim i reformimit të sistemit prokurorial drejtë një sistemi më llogaridhënës.

Drejtori i IKD-së, Ehat Miftaraj.

“Komisioni i Venecias ka miratuar kërkesën kryesore të Ministrisë së Drejtësisë lidhur me reformën në KPK dhe ndërprerjen e mandatit të shumicës së anëtarëve aktual”.

“Komisioni ka mirëpritur vullnetin politik të shprehur edhe në seancën plenare nga përfaqësuesit e MD-së që të marrin për baze zbatimin e rekomandimeve në opinion”, ka shkruar Miftaraj në Facebook.

Siç ka thënë ai, kjo është “fitore e madhe e sundimit të ligjit në Kosovë”

“Të shpresojmë se MD do të respektoj dhe zbatojë në përpikëri zotimet e ofruara Komisionit”./Insajderi.com