12 milionë euro të cilat Ministria e Ekonomisë kishte planifikuar t’i shpenzojë për importim të energjisë elektrike për tërë vitin, i ka shpenzuar për dy muaj – nëntor dhe dhjetor.
Kështu ka bërë të ditur ministrja e këtij dikasteri, Artane Rizvanolli, të martën gjatë raportimit në Komisionin Parlamentar për Ekonomi, lidhur me furnizimin e vendit me energji elektrike.
Sipas saj, çmimet e importit janë pesëfish më të larta.
“Shpenzimet e importit kanë arritur në 12 milionë për periudhën nëntor-dhjetor, teksa ka qenë e paraparë që për tërë vitin të shpenzohen jo më shumë se 12 milionë për import”, është shprehur ajo para anëtarëve të komisionit.
Aktualisht ka thënë se energjia elektrike gjatë ditës shitet me çmimin prej 7 centë për kilovat.
Ndërsa, çmimet e importit, sipas saj, janë minimalisht pesëfish më të larta dhe “është çështje kohe deri sa kompania do të mundet që ta përballojë këtë”.
“Probleme kemi edhe nga ana e KOSST-it për shkak që nuk janë kryer pagesat nga ana e KEDS-it dhe KEK-ut për tarifat dhe për blerjen e energjisë nga ana e KOSST-it me çmime të larta par shërbime të balancimit të sistemit”, ka vazhduar Rizvanolli.
Qeveria e Kosovës ka publikuar një udhëzues për kursimin e energjisë elektrike, i cili është shpërndarë nga Ministrja Rizvanolli.
Në manualin e shpërndarë nga Rizvanolli në Twitter thuhet se 40 për qind e energjisë elektrike që konsumojmë vjen nga ndriçimi.
E për të kursyer energjinë, Qeveria bën thirrje që t’i fikni dritat kur dilni nga dhoma, t’i zëvendësoni poçet elektrik me ata me eficiencë të lartë (LED), të shfrytëzoni dritën natyrore gjatë ditës dhe të vendosni senzorët e efiçiencës.
Bëhet thirrje edhe që pajisjet elektrike që konsumojnë më shumë energji, siç janë: rrobalarësja, enëlarësja dhe hekuri për hekurosje të përdoren mes orës 22:00 dhe 07:00, atëherë kur tarifa e ulët është 57 përqind më e lirë se tarifa e lartë.
Në fund të manualit, kërkohet edhe që të shfrytëzoni racionalisht ujin e ngrohtë, të mos i lini ndezur pajisjet elektrike kur nuk i përdorni dhe të përdorni enëlarëset dhe rrobalarëset të mbushura plotësisht./Insajderi.com