Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka kritikuar Qeverinë Kurti për “neglizhencë ndaj Ligjit të Pagave”.
Ai në seancën e Kuvendit të Kosovës të martën, ku po zhvillohet debat parlamentar lidhur me çështjen e pagave në sektorin publik, ka thënë se “Ligji për Pagat po mundohet të portretizohet si ligj për rritje të pagave”.
Para deputetëve, ka thënë se përmes këtij ligji nuk ngriten pagat, por rregullohen pagat në sektorin publik dhe e jep atë në mënyrë të dinjitetshme.
“Ky nuk është ligj me i ngritë pagat, është ligj që rregullon pagat në sektorin publik dhe jep një pagë të dinjitetshme rreth 70 mijë zyrtarëve publikë”.
“Ky ligj kur u votua, ka pas lëvdata nga Bashkimi Evropian. Sepse pas shumë viteve Qeveria ka kaluar një ligj që ka rëndësi të veçantë. Ka ndodhë diçka e pazakontë e pabesueshmem, një neglizhencë që nuk ka shpjegim tjetër ose mungesë vullneti ose pazotësi me u marrë me këtë temë të madhe”.
Besnik Tahiri ka thënë se edhe vetë ka pasur probleme me sindikatat e arsimit dhe të shëndetësisë, por sipas tij janë pajtuar për t’u mos pajtuar, dhe nuk janë armiqësuar me to.
Ai ka kërkuar nga Ministri i Financave, Hekuran Murati, t’i tregojë arsyet se pse nuk po buxhetohet Ligji i pagave.
“Ministri Hekuran Murati, tregona pse se ke bërë, a e ke pas si neglizhencë? S’e ke pas prioritet? Nuk dua të përfshihem në debatin mes juve dhe sindikatat. E di si funksionojnë ato, jam marrë me to më herët. Unë jam pajtua të mospajtohem me ta”.
“Sa i përket debatit mes Qeverisë dhe sindikatave, këtu nuk përfshihem. Por ne kemi problem me 80 mijë shërbyes civil që do të përfitonin nga ky ligj që ju vetë e keni vendos. Kërkesa jonë është shumë e thjeshtë, përmes këtij debati mendojmë të arrijmë ta buxhetojmë ligjin e pagave”, ka thënë Tahiri./Insajderi.com