Haxhiu: E lumtur që Komisioni i Venecias vlerësoi pozitivisht uljen e mandatit të anëtarëve të KPK-së

Haxhiu: E lumtur që Komisioni i Venecias vlerësoi pozitivisht uljen e mandatit të anëtarëve të KPK-së

Ministrja e Drejtësisë,  Albulena Haxhiu, tha se është e lumtur që Komisioni i Venecias përmes opinionit ka dhënë rekomandim pozitiv për uljen e mandatit të anëtarëve të Këshillit Prokurorial të Kosovës nga 13 në shtatë anëtarë, përcjell Insajderi.com.

Përmes një postimi në Facebook, Haxhiu deklaroi se do t’a ndjekin secilin rekomandim të Venecias teksa tha se është falënderuese për bashkëpunim.

“Jam shumë e lumtur që Komisioni i Venecias, përmes opinionit i cili tashmë është publik, ka dhënë rekomandim pozitiv për uljen e mandatit të anëtarëve të KPK, nga 13 në 7 e po ashtu ka dhënë rekomandim pozitiv për ndërprerjen e mandatit, për disa anëtarë të KPK.
Ne do t’i ndjekim pikë për pikë rekomandimet e Venecias dhe e falenderojmë për bashkëpunimin. Të premten në orën 10:00, grupi punues vazhdon punën në projektligje”, shkroi ndër tjerash ajo.

Ndryshe, Komisioni i Venecias të hënën ka publikuar opinionin për reformat e synuara nga Qeveria Kurti për sistemin prokurorial në Kosovë.

Në këtë opinion është thënë se “reforma s’duhet të çojë në ndikime politike, pasi që ajo parasheh që përzgjedhja e shumicës së anëtarëve të KPK-së të bëhet me shumicë të thjeshtë në Kuvend”.

Përveç përbërjes së re të KPK-së, pika tjera në të cilat është fokusuar ky Komision janë procedura e përzgjedhjes, shkarkimi i tyre dhe zëvendësimi i anëtarëve aktualë e përjashtimi i Kryeprokurorit të shtetit si anëtar ex-officio.

Komisioni i Venecias ka thënë se propozimi i reduktimit të numrit nga 13 në 7, në kuadër të Këshillit Prokurorial, s’është në kundërshtim me standardet evropiane.

Rekomandim tjetër ka qenë që kryeprokurori i shtetit të mbetet si anëtar ex-officio i KPK-së.

Ndërsa sa i përket përfundimit të mandatit të anëtarëve aktualë të KPK-së, Komisioni i Venecias ka thënë se “KPK-ja nuk duhet të funksionojë vetëm me katër anëtarët e zgjedhur nga Kuvendi dhe se përbërja e re duhet të fillojë vetëm pasi të jetë e plotë me zgjedhjen e 7 anëtarëve”./Insajderi.com