Gjykata Kushtetuese e ka shfuqizuar vendimin e Kuvendit të Kosovës për shkarkimin e pesë anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës.
Shefi i deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri dhe 10 deputetë të kësaj partie, kishin parashtruar kërkesën në Kushtetuese kundër vendimit të 30 qershorit, me të cilin deputetët e Kosovës votuan pro shkarkimit të pesë anëtarëve të KPMSHC-së. Ata shprehën pretendimet se vendimi është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.
Tani Kushtetuesja ka njoftuar se përmes këtij vendimi, deputetët e kanë shkelur Kushtetutën – ndaj ka marrë vendim për ta shfuqizuar atë.
“Gjykata gjithashtu theksoi se Kuvendi duke shkarkuar (5) pesë anëtarë të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës në mënyrë kolektive dhe pa shtjellimin e asnjë fakti e të bazuar në ligj, por vetëm me arsyetimin se Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës “nuk ka zbatuar ligjet e aplikueshme gjatë vendimmarrjes”, përkatësisht për shkak të vendimmarrjes së tyre në raste konkrete, për të cilën anëtarët e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës gëzojnë pavarësi kushtetuese dhe imunitet nga shkarkimi dhe e cila vendimmarrje, për më tepër, i nënshtrohet kontrollit të pushtetit gjyqësor dhe jo atij legjislativ, ka tejkaluar kufijtë e kompetencës së mbikëqyrjes së punës së institucioneve publike, të përcaktuar me paragrafin 9 të nenit 65 të Kushtetutës, në cenim të garancive përkitazi me pavarësinë e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës në ushtrimin e funksionit të tij, të përcaktuar me paragrafin 2 të nenit 101 të Kushtetutës”, thuhet në njoftimin e saj.
Pesë anëtarët e KPMShCK-së janë shkarkuar më 30 qershor 2021, me 62 vota pro, tri kundër e 11 abstenime./Insajderi.com