Operacioni në Karaçevë: Dy të arrestuar dhe tri objekte të rrënuara

Operacioni në Karaçevë: Dy të arrestuar dhe tri objekte të rrënuara

Dy persona janë arrestuar, ndërsa është konfiskuar një sasi e aparateve të lojërave të fatit, shtëpiza kompjuterike, laptopë, pistoletë, gjeneratorë e para të gatshme – gjatë operacionit policor që u zhvillua mëngjesin e së mërkurës në fshatin Karaçevë të Kamenicës.

Operacioni për “Organizim të skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”, është realizuar nga Drejtoria Rajonale e Policisë së Kosovës, Gjilan, në bashkëpunim me  Prokurorinë Themelore në Gjilan.

“Operacioni policor ka filluar që në orët e hershme të mëngjesit si rezultat i një hetimi në vazhdimësi dhe të bashkërenduar mes Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë Themelore në Gjilan, lidhur me pretendimet për veprimtari të paligjshme, përfshirë bixhozin e paligjshëm dhe aktivitete tjera”.

“Në këtë rast janë arrestuar dy persona të cilët janë intervistuar në prezencë të avokatëve mbrojtës dhe me urdhër të prokurorit të shtetit  të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë”, thuhet në komunikatën për media.

Bëhet e ditur se si vazhdimësi e operacionit janë kontrolluar shtëpitë dhe objektet përcjellëse ku jetojnë të dyshuarit si dhe objektet tjera ku janë zhvilluar veprimtaritë e lojërave të fatit.

Gjatë kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provave materiale:

96 aparate të lojërave të  fatit, katër shtëpiza  kompjuterike, tre laptopë, tre monitorë, dy TV që janë përdorur për lojëra të fatit, një pistoletë e llojit Ekol special 99 së bashku me 17 fishekë, një gjenerator si dhe 469,15 euro (të gjetura në aparatet e lojërave të fatit).

“Të gjitha aparatet (96 copë) dhe një gjenerator sipas procedurave të parapara iu janë dorëzuar Doganës së Kosovës për procedura të mëtutjeshme”.

“Në  vendngjarje në fshatin Karaçevë, Inspeksioni Komunal  i Komunës së Dardanës ka asistuar Policinë e Kosovës në rrënimin e tri objekteve  të cilat janë ndërtuar  pa leje  në të cilat kanë qenë  duke u ushtruar  veprimtaritë e kundërligjshme të lojërave të fatit, ndërsa një objekt tjetër, është mbyllur  dhe shirituar nga Inspeksioni  Komunal, Dardanë”, thuhet tutje.

Lidhur me këtë rast hetimet janë në vazhdim e sipër dhe në  kërkim  të personave tjerë si të dyshuar të mundshëm të përfshirë në këtë rast.

“Rasti është duke u hetuar nga Drejtoria Rajonale e Policisë së Kosovës në Gjilan në koordinim të ngushtë me Prokurorinë Themelore, përfshirë edhe kërkimin e disa personave të tjerë  si të dyshuar të mundshëm”, vijon komunikata./Insajderi.com