Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet të shpall këtë të enjte rezultatet përfundimtare për kryetar të Komunës së Dragashit.
Lajmin e ka bërë të ditur zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, përmes një njoftimi drejtuar mediave.
“Ju njoftoj se sot (e enjte, 16 dhjetor 2021, ora 10:00) Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mban mbledhjen e radhës. Në rend dite është shpallja e rezultateve përfundimtare të raundit të dytë të Zgjedhjeve për Kryetar të Komunës së Dragashit”, thuhet në njoftim.
Pas numërimit të këtyre votave, kandidati i LDK-së Bexhet Xheladini ka marrë 470 vota, dukshëm më shumë se kandidati i PDK-së Shaban Shabani. Ky i fundit ka marrë 173 vota.
Pas këtij rezultati, ka reaguar Shabani, e cili e ka uruar kundërkandidatin e tij, Xheladinin për fitore./Insajderi.com