“Pranimi i moratoriumit ka cenuar rendin kushtetues të Kosovës”

“Pranimi i moratoriumit ka cenuar rendin kushtetues të Kosovës”

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka folur për Marrëveshjen e Uashuingtonit, ku në njërën nga pikat ishte edhe moratoriumi 1 vjeçar, përcjell Insajderi.com.

Gjatë fjalimit të saj para deputetëve të Kuvendit, Osmani deklaroi se me pranimin e një gjëje të tillë, është cenuar rendi kushtetues i vendit dhe konsolidimi për subjektivitet ndërkombëtar.

“Kosova ka miq dhe aleatë të rinj dhe të vjetër në të gjitha kontinente, që janë të palëkundur në mbështetjen që na japin në rrugëtimin tonë të drejtë të qenurit anëtarë me të drejta të plota dhe të barabarta në komunitetin ndërkombëtar. E gjitha kjo ka ndodhur përkundër një starti jashtëzakonisht sfidues.
Duke aplikuar një politikë të jashtme tërësisht pasive  të ç’akorduar në të kaluarën, e fatkeqësisht duke e pranuar moratoriumin që cenonte rendin tonë kushtetues dhe të drejtën për të konsolidimin për subjektivitetin tonë ndërkombëtar, jo vetëm që u dëmtuan interesat tona strategjike por edhe ishin dikur dritat e politikës sonë të jashtme. Këto drita jo vetëm që janë të ndezura por po punohet pa rreshtur që Kosovën ta kthejmë mbarë e të ecim përpara ashtu siç e meritojnë qytetarët e tanë”, ka thënë presidentja Osmani.

Derisa foli për angazhimin që ka pasur në politikën e jashtme, Osmani deklaroi se Kosova është projekti më i suksesshëm dhe më i rëndësishëm i politikës së jashtme amerikane.

“Ne jemi të lumtur që mund të themi se Kosova është projekti më i rëndësishëm dhe më i suksesshëm i politikës së jashtme amerikane dhe evropiane si dhe i të gjithë atyre që u rreshtuan pas nesh. Kosova është një shtet që e meriton mbështetjen e pakursyer të aleatëve tanë sepse ajo këtë vit e ka dëshmuar që është një demokraci e fortë dhe e qëndrueshme prandaj pata nderin që me krenari ta prezantoj vendin tonë si një shembull dhe një model i një demokracie të suksesshme në kuadër të Samitit për Demokraci të organizuar nga presidenti Biden”, tha Osmani.

Në adresimin e saj vjetor, Osmani ka folur edhe për aksionet e Policisë së Kosovës në komunat veriore të vendit.

Sipas saj, Policia e Kosovës nuk i targeton etnitë e caktuara, siç ishte raportuar, por vetëm “celulat e krimit”.

“Aksionet e policisë në çdo cep të Kosovës janë të pashmangshme për të mbrojtur jetën e shtetasve tonë. Policia jonë nuk i targeton etnitë por celulat e krimit, e në luftimin e krimit të gjithë duhet të jemi të pakompromis.

Krimi i organizuar transnacional dhe korrupsioni shkojnë dorë për dore ashtu si trafikimi i armëve e drogës e pastrimi i parave. Institucionet e sigurisë do ta kenë përkrahjen e qytetarëve por edhe të institucioneve të vendit, policia gëzon përkrahje sepse mbron jetën e qytetarëve”, tha Osmani.

Ajo thotë se ata që e kundërshtojnë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare të zbatimit të ligjit i japin mbështetje organizatave kriminale.

“Anëtarësimi i Kosovës në organizatat ndërkombëtare të zbatimit të ligjit është jetik për ne, kundërshtuesit e këtij procesi duhet ta kuptojnë se kundërshtimi ndaj anëtarësimit të Kosovës është i barabartë me mbështetjen për organizata kriminale transnacionale”, deklaroi Osmani.

E para e vendit nuk la pa përmendur edhe shpenzimet e instiucionit që ajo drejton, duke thënë se do t’i bëjnë publike të gjitha

“Zyrën e Presidentes e kemi shndërruar në zyrë të hapur e transparente për të gjithë qytetarët, institucioni që drejtoj është shpallur si institucioni më transparen në rajon ndërkaq këtë përkushtim për transparencë të plotë gjatë këtij muaji do ta dërgojmë në një nivel tjetër ku gjatë këtij muaji do të publikojmë në mënyrë proaktive shpenzimet e mia dhe të kabinetit tim natyrisht të gjitha shpenzimet zyrtare por edhe shpenzimet të viteve paraprake ku dëshmohet që përderisa shpenzimet tona janë shumëfish më të vogla puna jonë për vendin është shumëfish më e madhe”, deklaroi ajo./Insajderi.com