Kurti iu bën thirrje deputetëve ta votojnë buxhetin: Më mirë të mos zgjatemi

Kurti iu bën thirrje deputetëve ta votojnë buxhetin: Më mirë të mos zgjatemi

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në seancën e sotme ka kërkuar nga deputetët që të votojnë buxhetin për vitin 2022 në lexim të dytë.

Kurti, ka thënë se afrimi i datës për pesë ditë është një gjë e mirë dhe se “nuk ekzistojnë qëllime tjera që po mbahet seanca më 17 dhe jo më 22”.

“Kemi menduar që është më mirë të mos zgjatemi. Nuk ekzistojnë qëllime tjera që po mbahet seanca më 17 dhe jo 22. Kjo mund të ishte e papërshtatshme nëse do të mungonit. Meqenëse keni ardhur, ju lus dhe ftoj që ta mbështetni këtë afrim të datës”, ka thënë kryeministri Kurti, përcjell Shqip.com.

Thirrjes së Kurtit iu bindën 75 deputetë të cilët në seancën e jashtëzakonshme votuan pro shqyrtimit të projektligjit të projektbuxhetit për vitin 2022.

Kuvendi i Kosovës

Në anën tjetër, 35 deputetë votuan kundër ndërsa një tjetër abstenoi. Gjithsej në sallë ishin 111 deputetë.

Votimin e kundërshtoi Lidhja Demokratike e Kosovës, Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Ndërkaq, Lista serbe votoi pro propozimit.

Qeveria e Kosovës më 1 nëntor kishte miratuar Projektligjin e Buxhetit për vitin 2022 i arrin vlerën prej 2 miliardë e 748 milionë euro, apo 8,7% rritje krahasuar me buxhetin e rishikuar të këtij viti.

Të hyrat buxhetore pritet të jenë në vlerë prej 2 miliardë e 364 milionë euro, gjë që paraqet rritje prej 15% në krahasim me vitin paraprak./Insajderi.com