Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka thënë se nuk ka informacione nëse institucionet e drejtësisë dhe sigurisë kanë marrë ndonjë veprim ndaj serbëve nga Kosova që Shtetet e Bashkuara të Amerikës vendosën sanksione, përcjell Insajderi.com.
Haxhiu duke folur për përfshirjen e personave tjerë në këtë listë, deklaroi se është shumë e rëndësishme që institucionet të mos “mbyllin sytë” karshi këtyre rasteve.
Sipas saj, të njëjtit nuk do të mund të operonin lirshëm pa mbështetjen e zyrtarëve qeveritarë të kaluar.
Tutje, ministrja e Drejtësisë tha se është e shqetësuar për tërheqjen e fletëarrestit ndaj Milan Radoiçiqit i cili është i sanksionuar nga SHBA-ja, gjë për të cilën thotë se ende nuk dihet pse ka ndodhur.
“Ne si Qeveri, por edhe si ministri e Drejtësisë, i kemi mirëpritur sanksionet e vendosura ndaj kriminelëve serbë nga Departamenti i Thesarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Konsideroj se jo vetëm pas këtyre sanksioneve, por edhe paraprakisht është dashur të ketë veprime të institucioneve qoftë të sigurisë, qoftë të drejtësisë, në raport me këta persona. E sidomos tani pas sanksionimit, unë nuk kam informacione në qoftë se institucionet janë duke e adresuar këtë.
Kam qenë jashtëzakonisht e shqetësuar që për njërin prej tyre, në muajin shkurt të këtij viti, është tërhequr urdhërarresti, madje kam qenë e habitur me deklaratën e ish-prokurorit të kësaj lënde ku thotë se ‘ka pasur edhe profile të larta që kanë ardhur në derën time’, duke iu referuar politikanëve shqiptarë për të bërë presion tek ai për ta tërhequr këtë urdhërarrest”, shtoi ajo.
Ndryshe, ditë më parë, Departamenti i Thesarit të Shteteve të Bashkuara ka vendosur sanksione ndaj një grupit të krimit të organizuar në krye me Zvonko Veselinoviq, i cili dyshohet për trafikim të mallrave, parave, narkotikëve dhe armëve mes Kosovës dhe Serbisë.
Po ashtu, pjesë e listës janë edhe Milan Radoiçiq, Zvonko dhe Zharko Veselinoviq, Srgjan Vuloviq, Andrija Bojiq dhe Radule Steviq – të gjithë serbë nga Kosova./Insajderi.com